Mediat izraelite tregojnë detaje të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Izraelit

mediat-izraelite-tregojne-detaje-te-marreveshjes-ndermjet-kosoves-dhe-izraelit

Kështu shkruan mediumi izraelit Haaretz, sipas të cilit Kosova do të jetë vendi i tretë – dhe i pari me shumicë myslimane – që hap një ambasadë në Jerusalem.

Në këtë pikë, shkruan më tej mediumi në fjalë, Izraeli nuk do të hapë një ambasadë në Kosovë, por do të emërojë një ambasador.

Si pjesë e marrëveshjes, vë në pah Haaretz, Kosova do të njohë grupin militant Hezbollah nga Libani si një organizatë terroriste dhe u zotua të fillojë procesin për “rikthimin e pronave hebraike që u plaçkitën gjatë Holokaustit”.

Ministri i Jashtëm, Gabi Ashkenazi dhe homologia e tij, Meliza Haradinaj, do të nënshkruajnë marrëveshjen, secili nga zyra e tij, në një ceremoni të transmetuar përmes aplikacionit Zoom.

Për më tepër, do të zbulohet ndërtesa e caktuar për ambasadën e Kosovës në Jerusalem, e cila pritet të hapet pas disa javësh.

Izraeli ishte përmbajtur nga njohja e Kosovës që nga viti 2008, si për të ruajtur marrëdhëniet me Serbinë ashtu edhe për shkak të shqetësimeve se një njohje e tillë do të shërbente si një precedent për kërkesat palestineze.

Mediumi në fjalë kujton se Izraeli ra dakord të vendoste lidhje diplomatike me Kosovën në fillim të shtatorit, pasi Serbia dhe Kosova nënshkruan një marrëveshje të normalizimit të marrëdhënieve ekonomike.

Si pjesë e marrëveshjes me Izraelin, e cila ishte ndërmjetësuar nga ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, Kosova njoftoi synimin e saj për të krijuar një ambasadë në Jerusalem, ndërsa Serbia deklaroi synimin e saj për të zhvendosur ambasadën e saj nga Tel Aviv në Jerusalem, deri në korrik të këtij viti.