Me kërkesë të Hajdarit, Betim Reçica shkarkohet nga pozita e Drejtorit të Agjencisë për Standardizim

Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë, ka shkarkuar të premten Betim Reçicën nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kosovare për Standardizim, përcjell Shqip.com.

Ky vendim është marrë pas kërkesës së ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari për shkarkimin e Reçicës.

Sipas vendimit, Reçicës i pezullohet menjëherë vendi i tij i punës pas nënshkrimit të vendimit.

Tutje, në vendim thuhet se gjatë periudhës së pezullimit, Reçica nuk përfiton pagë dhe se në rast që procedura nuk përfundon pa një masë disiplinore, atij i kompensohet paga e plotë nga Institucioni punëdhënës.

Reçica, i cili më herët kishte qenë sekretar në Ministrinë e Infrastrukturës, me një vendim të Qeverisë Hoti, ishte emëruar në pozitën e kryeshefit të Agjencisë së Standardizimit në MINT.

Po ashtu, ai akuzohet edhe për vepra penale të korrupsionit sa kishte qenë sekretar në Ministrinë e Infrastrukturës./Insajderi.com