Masat e reja të Qeverisë kundër COVID-19

masat-e-reja-te-qeverise-kunder-covid-19

Në vendimin e publikuar nga MSh-ja në llogarinë e tyre në Facebook, thuhet se të gjithë shtetasit kosovarë që vijnë nga India, Brazili dhe Afrika e Jugut detyrohen të karantinohen në shtëpitë e tyre.

Ky është vendimi i plotë:

Vendimi i Qeverisë për masa të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Në Vendimin Nr. 01/07, të datës 18.04.2021, shtohen pikat si në vijim:

A. Ndalohet hyrja në Republikën e Kosovës për personat që vijnë nga India, Brazili dhe Afrika e Jugut.

A.1 Shtetasit e Republikës së Kosovës të cilët vijnë nga India, Brazili dhe Afrika e Jugut duhet të karantinohen në shtëpitë (vendin e banimit) e tyre për katërmbëdhjetë (14) ditë duke u testuar dy herë në javë.

A.2 Pika 3A.1 nuk vlen për shtetasit e Republikës së Kosovës të cilët qëndrojnë transit (më pak se 48 orë) në shtetet e përcaktuara në pikën 3A.1 të këtij vendimi.

A.3 Diplomatët e huaj si dhe familjarët e tyre përjashtohen nga fushëveprimi i pikës 3A të këtij vendimi.

Udhëzohen Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si dhe Ministria e Punëve të Brendshme të marrin vendimet dhe veprimet e nevojshme në përputhje me fushat e përgjegjësisë administrative të tyre me qëllim të zbatimit të këtij Vendimi.

Plotësimi dhe ndryshimi është bërë duke marrë parasysh situatën aktuale epidemiologjike në botë, shfaqjen e varianteve të reja të COVID-19, në Indi, Brazil dhe Afrikë të Jugut, rrezikun e bartjes së varianteve të reja nga udhëtimet prej këtyre shteteve, prandaj për parandalimin e ardhjes së varianteve të reja u vendos si më lart.