Maqedoni e Veriut, zbuten masat lidhur me koronavirusin

maqedoni-e-veriut,-zbuten-masat-lidhur-me-koronavirusin

Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi të martën për zbutjen e masave që kanë të bëjnë me koronavirusin, ndërsa numri i të infektuarve po ulet, por jo edhe numri i viktimave.

Ndalim-qarkullimi që deri tani fillonte nga ora 20, nga e mërkura do të shtyhet për një orë, do të fillojë në orën 21 dhe do të zgjasë deri në 5 të mëngjesit. Ndërkohë, për festat e Pashkëve Ortodokse, natën midis 1 dhe 2 majit dhe për Bajramin e Madh, midis 13 dhe 14 majit nuk do të ketë orë policore.

Objektet gastronimike do të mund të hapen nga e mërkura, 28 prill, por vetëm ambientet e jashtme, terracat do të jenë në dispozicionin e klientëve dhe atë deri në orën 20:30.

Siç ka bërë të ditur Kryeministri Zoran Zaev në Twitter, vazhdon më tej ndalesa e veprimtarisë për palestrat dhe qendrat e sportit në ambient të mbyllur, por ato mund të organizojnë punën në hapësira të jashtme sipas protokollit.

Pronarët e restoranteve, bareve, organizatorët e dasmave dhe ngjarjeve të ndryshme zbavitëse si dhe pronarët e shumë bizneseve të tjera janë ankuar për humbje të mëdha për shkak të mbylljes lidhur me masat ndaj koronavirusit. Qeveria ka miratuar disa paketa për subvencionimin e tyre; i fundit me një shumë prej 17 milionë eurosh, teksa paketa e radhës është në përgatitje e sipër.

Maqedonia e Veriut ka pranuar deri tani një numër jo të konsiderueshëm vaksinash nga prodhuesit Pfizer, Sputnik, si dhe AstraZeneca përmes programit COVAX të OBSH-së. Vaksinimi shkon tejet ngadalë, me imunizimin e moshave mbi 70 vjeç, teksa autoritetet thonë se së shpejti do të arrijnë 200 mjë doza Sinopharm, për ta filluar vaksinimin në masë.

Autoritetet shëndetësorë bëjnë të ditur se varianti britanik i koronavirusit mbizotëron me rreth 90 përqind të rasteve. Që nga shpërthimi i pandemisë, jetën e kanë humbur 4,742 njerëz; Nga 151,122 rastet e diagnostikuara, 15,470 janë aktive. /voa

The post Maqedoni e Veriut, zbuten masat lidhur me koronavirusin appeared first on Mesazhi.com.