Maja Kocijançiq e përpiloi dokumentin ‘non-paper’? Deklarohen nga Komisioni Evropian

maja-kocijanciq-e-perpiloi-dokumentin-‘non-paper’?-deklarohen-nga-komisioni-evropian

Në këtë dokument ndër të tjerash u theksua se Kosova do të ketë ndryshim kufijsh, e që në këtë aspekt do të ndikonte në zhvillimet politiko-institucionale në Kosovë dhe më gjerë.

Nga shteti serb kanë deklaruar së fundi se prapa kësaj letre e cila fletë për një marrëveshje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë qëndron Maja Kocijançiq zyrtare e Bashkimit Evropian.

Regjisori serb, Dragoslav Bokan deklaroi se pas “non-paper” për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi qëndron zëdhënësja e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Siguri, Maja Kocijançiq.

Lidhur me këtë lajmi.net ka dërguar pyetje në adresë të Kocijançiqit, ku në përgjigjen e kthyer mohohet kategorikisht një gjë e tillë.

“ Komisioni hedh poshtë këtë spekulim qesharak se një nga zyrtarët e tij qëndron pas kësaj të ashtuquajturës ‘non paper’. Komisioni nuk ka asnjë koment për të ashtuquajturën ‘non paper’ që nuk e ka prodhuar as marrë”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Poashtu u theksua se të njëjtit vetëm mund të përsërisin mbështetjen e vazhdueshme  dhe të qartë të Bashkimit Evropian për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ballkanit Perëndimor.

“Ne vetëm mund të kujtojmë dhe përsërisim mbështetjen e vazhdueshme dhe të qartë të BE-së për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ballkanit Perëndimor”, u tha tutje në përgjigje.

Ndryshe në draft-dokumentin e njohur si ‘Non-Paper’ theksohej se marrëveshja përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë do të finalizohet në shkurt të vitit 2022, çështje kjo e cila nuk është potencuar as nga palët pjesëmarrëse në dialog por as edhe nga ndërmjetësuesi në këtë rast që është Bashkimi Evropian.

Për këtë draft-dokument janë deklaruar edhe nga Ambasada e Gjermanisë dhe Francës, të cilët thanë se nuk është asgjë tjetër përpos spekulim dhe se askush nga këto shtete nuk ka përpiluar apo marrë një dokument të tillë.

Ngjashëm kanë deklaruar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një përgjigje të dhënë ditë më parë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë u tha se spekulimet e panevojshme të kohëve të fundit për ndryshimin e kufijve në Ballkan, kërcënojnë dhe destabilizojnë rajonin dhe përkujtojnë tensionet e mëparshme.

“Siç e kemi parë, spekulimet e panevojshme të kohëve të fundit për ndryshimin e kufijve në Ballkan sipas linjave etnike kërcënojnë të destabilizojnë rajonin dhe përkujtojnë tensionet e mëparshme. Një e ardhme e qëndrueshme, e begatshme për Ballkanin Perëndimor duhet të bazohet në qeverisjen e mirë, sundim të ligjit, demokraci shumetnike dhe respektin për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore””, u tha në deklaratë.

Lidhur me këtë çështje ditë më parë nuk deshën të deklaroheshin nga Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Albin Kurti. Pavarësisht kësaj situata me ‘Non-Paper’ apo ndryshimin e mundshëm të kufijve të Kosovës është në diskutim e sipër ndër vite. Edhe pse nuk kishte dokument të ngjashëm të publikuar, kjo temë diskutimi shpesh herë shpërfaqi pakënaqësi nga shumë përfaqësues politik të Kosovës.

Padyshim kundër ndryshimit të kufijve gjatë tërë kohës janë deklaruar përfaqësuesit kosovarë si dhe ata të huaj të cilët drejtpërdrejtë apo në një mënyrë tjetër janë të lidhur me zhvillimet politiko-institucionale në vend dhe jashtë saj.

Lidhur me këtë çështje dhe zhvillimet e tjera që kanë të bëjnë me Kosovën pritet që më gjerësisht të diskutohet në rifillimin e dialogut, gjë që pritet të ndodhë në qershor të këtij viti./Lajmi.net/