“Ligji për Konfiskimin e Pasurisë s’jep garanci për rezultate, tendencë për arsyetim dështimesh”

“ligji-per-konfiskimin-e-pasurise-s’jep-garanci-per-rezultate,-tendence-per-arsyetim-deshtimesh”

Ehat Miftaraj nga Instituti Demokratik i Kosovës (IKD), ka thënë se me të njëjtin sistem të drejtësisë, ky projektligj nuk sjell ndryshime.

“Një sistem i drejtësisë, të njëjtit gjyqtarë dhe prokurorë që e kanë një kornizë ligjore shumë të avancuar për sekuestrim dhe konfiskim të pasurisë dhe nëse për 20 vite pothuajse nuk ka asnjë rezultat nuk është garanci se nëse ua jep edhe një mundësi tjetër në aspektin civil që qytetarët të vërtetojnë pasurinë e tyre nuk është garanci që do të ketë rezultate konkrete. Me të njëjtat metoda të kërkojmë një rezultat tjetër dhe pothuajse këtu zbatohet e njëjta qasje”, është shprehur ai.

Madje sipas Miftarajt politika dhe sistemi i drejtësisë dështimet e tyre i arsyetojnë me nevojën për shtim ligjesh, dispozitash e ligjesh.

“Është mirë që të ndryshohen tri nene por prapë po kthehem ajo çka po themi me Ligjin për konfiskim. Në vitin 2019 ka qenë Prokuroria e Shtetit që ka kërkuar të futen këto nëse që sot po ndryshohen. Domethënë ka qenë kërkesë e prokurorisë sepse kanë thënë që nuk po mundemi t’i luftojmë krimet e luftës për arsye se nuk kemi bazë ligjore të duhur. Kjo tregon që politika e sistemi i drejtësisë dështimet e tyre mundohet t’i arsyetojnë se kemi nevojë për një nen, dispozitë, apo ligj të ri”.“Derisa nuk ndryshon mentaliteti i sistemit të drejtësisë, prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk e konsiderojnë si obligim që të respektojnë Kushtetutën së pari ata vet, t’i zbatojnë obligimet që ua përcakton Kushtetuta dhe ligji nuk është se mund të presim ditë më të mira. Për këtë arsye unë besoj që Lëvizja Vetëvendosje, partia në pushtet të gjitha forcat dhe pushtetin e saj duhet ta drejtojë drejt vettingut. Vetëm vettingu mund të jetë shpresë që të pastrohet sistemi nga elementet kriminale, politikës, grupeve të interesit në mënyrë që pastaj të kemi gjyqtarë e prokurorë që thjeshtë janë në gjendje të përmbushin mandatin e tyre”, ka përfunduar për EO.

Hyrja në fuqi e Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme po cilësohet hap i mirë nga analisti, Arton Muhaxheri.

Muhaxheri ka thënë se nëse implementimi i këtij ligji fillon nga bashkëpartiakët e kryeministrit Kurti dhe ministër së Drejtësisë Haxhiu, atëherë ka sinjale se është marrë seriozisht trajtimi i tij nga kjo Qeveri.

“Konsideroj që ky ligj mirë që është votuar, mirë është që do të ndodhë një gjë e tillë, nëse do të ndodhë, por unë do të doja të shoh zotri Kurtin dhe ministren e Drejtësisë se si do ta implementonte këtë ligj në favor të bashkëpartiakëve sepse ka bashkëpartiak të cilët kanë krijuar pasuri të paligjshme, kanë krijuar pasuri që nuk i dihet burimi. Pikërisht ky ligj duhet të fillojë nga ata që raportet e të hyrave dhe shpenzimeve e investimeve nuk u përshtaten, nuk i barazohen. Nëse fillon ligji prej atyre njerëzve që i kanë në parti, konsideroj që mund të thuhet se e kanë seriozisht për ta trajtuar këtë ligj”, është shprehur ai.

“Ndryshe nëse këtë ligj e kanë bërë për të iu hakmarrë kundërshtarëve politik mendoj që kjo është një lojë që zotëri Kurti e bën për ta trembur opozitën dhe partitë tjera për të mos i kundërshtuar në tema të caktuara”, ka shtuar ai.

Deputeti opozitar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu ka thënëse Ligji për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është nismë ligjore që duhet të vazhdohet.“Në Kuvend nuk ka asnjë nismë ligjore deri më tani, është një koncept-dokument i aprovuar në Qeveri, kur të vije në Kuvend kemi me dhënë kontributin. Uroj që Qeveria mos të tërhiqet prej kësaj nisme por të vazhdojë procedurat që i takojnë sipas Kushtetutës dhe sipas ligjit”.

“Nuk kemi asnjë dokument në Kuvend sa i përket ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, unë e inkurajoj Qeverinë që të vazhdojë me atë koncept-dokument që e ka bërë publik”.