Liburn Aliu me metoda arbitrare në prokurim, e anulon kundërligjshëm edhe një tender

liburn-aliu-me-metoda-arbitrare-ne-prokurim,-e-anulon-kunderligjshem-edhe-nje-tender

Sikur drejtuesit paraprak, edhe ministri i ri  i MMPHI, Liburn Aliu ka vendosur që të bëhet pjesë e shkeljes së ligjit, lidhur më tenderin  “Sinjalizimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve në rrugët nacionale dhe rajonale të Kosovës lot2 dhe lot 3”, shkruan lajmi.net.

MMPHI e ka anuluar sot krejt procedurën tenderuese, me arsyetimin se nuk ka pasur asnjë ofertë të përgjegjshme. Ky vendim bie ndesh me Ligjin e Prokurimit Publik mbi bazën e të cilët procedojnë institucionet publike kur lidhin kontrata. Kjo ngase, paraprakisht ka pasur një ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit -OSHP që ka të bëjë me këtë procedurë, e cila nuk ishte shqyrtuar nga Bordi i OSHP-së. Kjo e obligonte ministrinë që të mos ndërmarrë asnjë hap për këtë aktivitet të prokurimit, derisa bordi të nxjerrë një vendim mbi ankesën e pranuar.

Para një muaji, ministria kishte shpallur fituesit për këto dy pjesë të tenderit kompaninë “RSM”. Nëpërmjet kërkesës për rishqyrtim menjëherë ishin ankuar disa kompani tek ministria, duke pretenduar se ishte shkelur ligji kur ishte nxjerrë ai vendim për rekomandim për kontratë. Komuna i kishte hedhur poshtë ankesat, ndërsa më pas konzorciumi i kompanive “Dore arti”, “Beni Com”, “Lindi Markings” ishte ankuar në OSHP, duke konsideruar se kompania e rekomanduar për kontratë ishte e pa përgjegjshme, dhe shumë më e shtrenjtë se oferta e tyre, dhe se pretendimet që ata ishin të pa përgjegjshëm nuk qëndronin. Kjo ankesë, në mungesë të Bordit të OSHP-së nuk është shqyrtuar akoma.

Por, ministria vendosi që të nxjerr vendim arbitrar, duke bërë anulim të procedurës tenderuese. Këtë vendim e nxori, duke e futur në rivlerësim tenderin për këto dy pjesë. U konstatua se nuk ka asnjë ofertë të përgjegjshme. Ndërsa, LPP e obligonte ministrinë që të priste vendimin e OSHP-së.

Këto dy pjesë të tenderit që mbulojnë rreth 700 km rrugë nacionale dhe rajonale në Kosovë, kanë mbetur pezull që nga viti 2017, derisa pjesët tjera ishin nënshkruar në vitin 2018.

Lajmi.net lidhur më procedimet e ministrisë për këto dy pjesë ka raportuar në vazhdimësi, madje para disa ditëve është raportuar edhe për atë se të gjitha kontratat e mëhershme kanë skaduar, derisa rrugët që mbulonin këto dy pjesë kanë mbetur pa mirëmbajtje.

Mësohet se ministria e ka marrë këtë vendim, për të proceduar me tender të ri, për të gjitha rrugët rajonale.

Lajmi.net ka raportuar se edhe para pakë ditëve kjo ministri kishte proceduar kundërligjshëm kur e kishte anuluar tenderin për mirëmbajtje e rrugëve. /M.B –Lajmi.net/