Le ta rrisim thesarin e veprave të mira të fshehta,sepse Allahu i do veprat e tilla

le-ta-rrisim-thesarin-e-veprave-te-mira-te-fshehta,sepse-allahu-i-do-veprat-e-tilla

Shkruan: Edhem Sherkavi

Zubejr ibn Avam (r.a.), transmeton se i Pejgamberi (savs), ka thënë:
“Kush prej jush është në gjendje të ketë një mori veprash të mira të fshehura, le ta bëjë këtë.”(Ibn Ebi Shejbeh, Al-Musannef; Shejh Albani hadithin e vlerëson si autentik)

Një ditë, ushtria muslimane doli për të luftuar kundër bizantinëve. Kur u takuan të dy ushtritë, nga ushtria bizantine doli një luftëtar dhe thirri për dyluftim. Në takim i doli një ushtar musliman i maskuar, i cili e mundi dhe e vrau. Pastaj doli një luftëtar tjetër bizantin dhe thirri për dyluftim, dhe atij në takim i doli i njëjti luftëtar i maskuar nga ushtria muslimane, i cili e mundi dhe e vrau. Në fund, doli edhe luftëtari i tretë bizantin dhe thirri për dyluftim, kështu që edhe atij i doli në takim i njëjti luftëtar musliman me fytyrë të mbuluar, i cili e mundi dhe e vrau.

Muslimanët u mblodhën rreth luftëtarit musliman të maskuar, duke dashur të zbulonin se kush ishte, derisa ai e mbante maskën me dorë nga frika se mos do ta njihte dikush. Dhe pastaj një burrë me emrin Ebu Omer u afrua dhe ia zbuloi fytyrën, duke njohur se ai luftëtari trim musliman, ishte dijetari islam dhe të devotshëm, Abdullah ibn Mubareku. Atëherë Abdullah ibn Mubareku i tha: “O Ebu Omer, nuk e prisja që ti do të më turpërosh!”

Abdullah ibn Mubareku dëshironte që xhihadi i tij të ishte një thesar i fshehur i veprave të mira midis tij dhe Allahut të Plotfuqishëm, për të cilën të mos dinte askush nga njerëzit. Prandaj, zbulimin e fytyrës së tij nga ana e Ebu Omerite konsideroi si skandal dhe turp. Sinqeriteti i Abdullah ibn Mubarekut ndaj Allahut, ishte aq i madh sa që ai e fshehu fytyrën e tij në një vend ku fytyrat normalisht nuk fshihen, në mënyrë që njerëzit mos t’i shihnin veprat e tij të mira dhe ta lavdëronin, sepse ai dëshironte që ajo të mbetej sekret midis tij dhe Allahut.

Prandaj, kush prej jush mund t’i fshehë dhe t’i ruajë veprat e tij të mira për Ditën e Gjykimit, le ta bëjë këtë.

Fshehja e veprave të mira është ibadet, prandaj fshihni veprat e tuaja të mira sa të mundeni dhe bëjini ato thesar, i cili do të zbulohet vetëm ditën kur do të zbulohen të gjitha sekretet e njerëzve.

Vepër e mirë e fshehur dhe e ruajtur për përjetësi, është edhe sadaka të cilën ia jepni të varfrit pa e fotografuar dhe pa faturë, ashtu që as gruaja juaj dhe as fëmijët të mos dinë për të.

Vepër e mirë e fshehur dhe e ruajtur për përjetësi, është edhe namazi në qetësinë e natës, kur anëtarët e familjes janë në gjumë, kurse ju pa u vërejtur ngriheni dhe falni namaz.

Vepër e mirë e fshehur dhe e ruajtur për përjetësi, është edhe leximi juaj i përditshëm i Kuranit (një, dy, tre … xhuza), të cilin nuk e lëshoni kurrë dhe për të cilin nuk di askush.

Vepër e mirë e fshehur dhe e ruajtur për përjetësi, është edhe dhikri dhe istigfari që është midis juve dhe Allahut, qoftë gjatë drejtimit të makinës, gjatë bërjes pazar, ose kur del për shëtitje të rregullt.

Vepër e mirë e fshehur dhe e ruajtur për përjetësi, është edhe loti që rrjedh nga syri juaj, kur e lexoni ajetin për ndëshkimin dhe vuajtjen e xhehenemit, dhe ju e fshini atë me dorën tuaj që askush tjetër mos ta shohë.

Prandaj, le ta rrisim thesarin e veprave tona të mira të fshehta, sepse Allahu i do veprat e tilla.

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)