LDK dhe PDK partitë me të gjobitura në Prishtinë, deri më tani në këtë qytet u shqiptuan mbi 18 mijë euro gjoba

ldk-dhe-pdk-partite-me-te-gjobitura-ne-prishtine,-deri-me-tani-ne-kete-qytet-u-shqiptuan-mbi-18-mije-euro-gjoba

Por pikërisht sot, partitë politike kanë filluar zyrtarisht me fushatën elektorale, anipse të njëjtit veçse kanë filluar prej disa javësh të bëjnë fushatë anembanë vendit.

Partitë më të mëdha në vend siç janë Vetëvendosje, PDK, LDK, AAK dhe Nisma mblodhën qytetarë të shumtë nëpër tubimet e tyre elektorale.

Por e gjithë kjo nuk parashihet që të ndodhë në situatën e tanishme në të cilën ndodhet Kosova, përballë pandemisë COVID-19.

Në masat e parapara për të parandaluar përhapjen e këtij virusi parashihet që qytetarët nuk kanë të drejtë të grumbullohen, sepse kësisoj rrezikojnë veten, të afërmit dhe mbarë vendin me mundësinë e përhapjes edhe më të madhe të koronavirusit.

Por pavarësisht këtij rreziku, partitë vazhdojnë të mblidhen, e përfaqësuesit e këtyre partive vazhdojnë të mos mbajnë maska apo të respektojnë distancën.

Deri më tani me nga 2 mijë euro janë gjobitur të gjitha këto parti, njëra më pak e tjetra më shumë.

Adonis Tahiri, Drejtori i Inspeksionit në Prishtinë ka bërë të ditur për lajmi.net se deri më tani me nga 2 mijë euro është gjobitur tri herë Lidhja Demokratike e Kosovës.

Njësoj u gjobit edhe PDK-ja me nga 2 mijë euro tri herë gjithsej që i bie deri më tani 6 mijë euro gjobë.

Partitë që janë gjobitur vetëm nga një herë me 2 mijë euro janë Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma.

“Deri tani janë dënuar me nga 2000 euro LDK tri here, PDK tri here, kurse VV, AAK, NISMA nga një here”, u tha në përgjigjen e Tahirit.

Kësisoj i bie që deri më sot janë 18 mijë euro gjoba të shqiptuara nga Komuna e Prishtinës, saktësisht inspektorati i kësaj komune ndaj këtyre partive.

Fushata zgjedhore ka filluar sonte dhe do të jetë e hapur deri më 12 shkurt, kësisoj partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre do të kemi mundësinë t’i shohim dhe t’i dëgjomë më tepër përgjatë kësaj kohe teksa flasin për programet e tyre dhe premtimet elektorale të cilat i bëjnë thuajse në çdo organizim zgjedhjesh në vend./Lajmi.net/