Kuvendi thotë se ka kërkuar të hapet konkurs për pesë anëtar të Bordit të OSHP-së, jo vetëm për tre

kuvendi-thote-se-ka-kerkuar-te-hapet-konkurs-per-pese-anetar-te-bordit-te-oshp-se,-jo-vetem-per-tre

Në vijim mund të lexoni reagimin e kabinetit Osmani –Sadriu, pa ndërhyrje, dhe më poshtë sqarimin e redaksisë lajmi.net.

E nderuar redaksi e Lajmi.net,

Përmes kësaj shkrese, Kabineti i Kryetares së Kuvendit, znj. Vjosa Osmani – Sadriu, demanton lajmin e publikuar sot në portalin tuaj, me titull “Kryetarja e Kuvendit nuk e njeh ligjin, kërkon dy anëtarë më pak për Bordin e OSHP-së”.

Në këtë artikull, Lajmi.net konstaton se “Osmani ka proceduar me kërkesë duke mos e njohur ligjin, pasi ka pasur parasysh vetëm tre anëtarët aktual që janë në Bord të OSHP-së emërimin e të cilëve e ka pasur para vetes.”

Megjithatë, përveç kërkesës të cilës ju i jeni referuar, për procedim të tre anëtarëve të Bordit të OSHP-së me datë 16 dhjetor, Kryetarja e Kuvendit ka dërguar edhe një kërkesë tjetër paraprake, për dy anëtarë të tjerë, me datën 2 tetor 2020. Si dëshmi, ju lutem gjejeni letrën e bashkangjitur, me numër protokolli 07/875/DO-508, e datës 2 tetor 2020. Siç mund të vërehet, në pikën a) të letrës, Kryetarja e Kuvendit i ka kërkuar z. Hoti Propozimin për 2 (dy) anëtarë në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Njoftimi i Qeverisë nga Kuvendi i Kosovës për inicimin  e procedurës për propozimin e kandidatëve për dy (2) anëtarë ne Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, është bërë fillimisht më datën 02 tetor 2020, nëpërmes letrës së Kabinetit të Kryetares së Kuvendit për Qeverinë. Më pas, kërkesa për inicimin e procedurës për propozimin e tre (3) kandidatëve të tjerë është realizuar me datën 16 dhjetor 2020.

Edhe para skadimit të mandatit të dy (2) anëtarëve të Bordit të OSHP-së, si nga pika 1. e përgjigjes, ka qenë e njoftuar Zyre Kryeministrit. Ligji nr.05/ L-092 Për Prokurimin Publik e obligon Qeverinë të ndërmarrë veprime për propozimin e kandidatëve për anëtarë të Bordit të OSHP-së, për emërim nga Kuvendi i Kosovës. Pra, propozim i kandidatëve është në mandatin e Qeverisë, jo të Kuvendit të Kosovës.

Sqarimi i Redaksisë

Për hir të opinionit në mënyrë që ai të informohet drejtë, redaksia e lajmi.net ofron këtë sqarime:

Fillimisht, gazetari i lajmi.net ka parë që Zyra e kryeministrit ka hapur konkurs për kryetarin dhe dy anëtarë të Bordit të OSHP-së. Duke qenë në dijeni të ligjit, i cili kërkon që të jenë pesë anëtarë të Bordit dhe duke qenë në dijeni se tre anëtarët e Bordit kanë mandat edhe dy muaj, gazetari ka kontaktuar Zyrën për informim të kryeministrit të Kosovës, ku ka kërkuar sqarime lidhur me atë se pse nuk është hapur konkurs për pesë anëtarë. Kryeministria ka ofruar këtë përgjigje: “Në përgjigje të pyetjes tuaj, ju njoftojmë se Zyra e Kryeministrit ka pranuar shkresën e  Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr. 3371/3  të datës 16.12.2021, duke u bazuar në Ligjin Nr. 05/L-092  të ndryshuar dhe plotësuar  me Ligjin nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik me të cilën  Qeveria e Republikës së Kosovës është obliguar, që të  iniciojë  procedurën  për propozimin e kandidatëve për kryesues dhe dy(2) anëtar të OSHP-së. Bashkangjitur e gjeni Kërkesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Megjithëkëtë, në reagim, kabineti ka dërguar një dokument të protokolluar të datës 2 tetor 2020 ku kishte kërkuar të hapën procedurat nga zyra e kryeministrit që t’i propozohen kuvendit anëtarët për disa Borde, në mesin e tyre edhe për dy anëtarë të Bordit të OSHP-së. Në pyetjen e lajmi.net se pse është hapur konkurs për vetëm tre persona, zyra e kryeministrit nuk ka thënë askund se një kërkesë e tillë ishte bërë më herët, ose që procedurat për emërimin e dy anëtarëve kanë filluar më herët, ani pse në ueb-faqen e ZKM-së nuk ka pasur një konkurs të tillë.

Në mënyrë që raportimi të jetë i drejtë dhe korrekt, në mëngjesin e ditës datës 21 janar (e enjte) lajmi.net ka dërguar këtë pyetje në adresë të Bekim Kupina –këshilltar i Osmani –Sadriu dhe në adresë të Ismet Krasniqi –sekretar i Kuvendit: “Dimë që kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar nga Zyra e kryeministrit që të iniciojë procedurën ligjore, që t’i propozojë kandidatët për kryetar dhe dy anëtar të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik. Pse është kërkuar që të iniciohen procedurat vetëm për tre anëtar të Bordit (kryetari dhe dy anëtar), kur dihet që Ligji ka paraparë që të jenë pesë anëtarë të Bordit ?”.

Deri në mbrëmjen e ditës së shtunë (sot) në adresë të lajmi.net nuk ka arritur asnjë përgjigje e kërkuar, pos reagimi nga kabineti i Osmani-Kadriut lidhur më shkrinin e publikuar.

Lajmi.net siguron opinionin që do të vazhdojë të informojë opinionin në mënyrë të drejtë dhe profesionale, ndërkohë kërkon nga institucionet që të jenë korrekte në kërkesat për qasje në informata. /Lajmi.net/