Kurti uron Ramën: Kosova dhe Shqipëria nuk munden pa njëra-tjetrën

kurti-uron-ramen:-kosova-dhe-shqiperia-nuk-munden-pa-njera-tjetren

Kryeministri Albin Kurti ka uruar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për fitoren në zgjedhjet parlamentare.

Përmes një statusi në Facebook, Kurti ka përgëzuar Ramën për rezultatet e arritura ndërsa ka kërkuar që të shtojnë bashkëveprimin në të gjithë sektorët, si dhe t’i afrojnë standardet evropiane sa i përket demokracisë, zhvillimit ekonomik, drejtësisë e mirëqenies.

Po ashtu përmes këtij shkrimi Kurti ka kërkuar nga institucionet shqiptare që të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor që askujt të mos i preket e drejta e votës, mbi të cilën themelohet demokracia përfaqësuese.

Ky është statusi i tij i plotë:

Sipas rezultateve paraprake të shpallura nga KQZ në Republikën e Shqipërisë, Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama ka fituar zgjedhjet parlamentare. Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën, prandaj e përgëzoj kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën për rezultatet, dhe uroj që së bashku, si shqiptarë, të shtojmë bashkëveprimin mes nesh në të gjithë sektorët, si dhe t’i afrojmë standardet evropiane sa i përket demokracisë, zhvillimit ekonomik, drejtësisë e mirëqenies.

Njëkohësisht uroj që institucionet në Shqipëri të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor që askujt të mos i preket e drejta e votës, mbi të cilën themelohet demokracia përfaqësuese.

Këto janë pritshmëritë e shqiptarëve, andaj, të punojmë së bashku.

The post Kurti uron Ramën: Kosova dhe Shqipëria nuk munden pa njëra-tjetrën appeared first on Mesazhi.com.