Kurti flet pas takimit me Lajçakun: Dialogu nuk është prioriteti i parë as i dytë

kurti-flet-pas-takimit-me-lajcakun:-dialogu-nuk-eshte-prioriteti-i-pare-as-i-dyte

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke folur pas takimit me Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, ka thënë se dialogu me Serbinë nuk mund të jetë prioriteti i parë ose i dytë.

Kurti ka thënë se nuk e mohon rëndësinë e dialogut me Serbinë, por ai duhet të jetë i përgatitur mirë dhe i sinqertë.

Lideri i LVV tha se Lajçak e ka informuar me procesin e dialogut në përgjithësi.

“Unë shpjegova edhe një herë që ne i kemi fituar këto zgjedhje me programin tonë që përqendrohet te drejtësia dhe punësimi, se jemi në kushtet e pandemisë COVID-19, dhe se nuk jemi kundër dialogut, por e duam parimor dhe të përgatitur mirë”, ka thënë Kurti, përcjell Klan Kosova.

Kurti është pyetur nëse dialogu me Serbinë do të jetë prioritet i tij i parë, kur ai të jetë në krye të Qeverisë së Kosovës.

“Nuk mund të jetë prioriteti i parë ose i dytë, sepse janë drejtësia dhe punësimi. Nuk e mohoj rëndësinë e dialogut – edhe për BE-në, Kosovën dhe Serbinë dhe rajonin, por më e rëndësishmja është që ky dialog të jetë i përgatitur mirë. Të jetë dialog i sinqertë në të cilin nuk jemi në presionin e kohës, por jemi me përkushtimin për substancë”,tha Kurti.

Ndërsa, në pyetjen nëse është diskutuar lidhur me hartën në zyrën e Lajçakut, Kurti ka thënë se nuk ka diskutuar me Lajçakun për harta.

The post Kurti flet pas takimit me Lajçakun: Dialogu nuk është prioriteti i parë as i dytë appeared first on Mesazhi.com.