Kur’ani në Ramazan

kur’ani-ne-ramazan

REFLEKSIONE RAMAZANI / 03

All-llahu i Madhërishëm në Kur’anin famëlartë thotë:

“Në muajin Ramazan ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra).” (Bekare, 185).

Refleksion:

Në ajetin e lartëpërmendur përcaktohet muaji se kur duhet të agjërohet, e që është muaji i nëntë hixhri, Ramazani. Në këtë muaj ka zbritur edhe Kur’ani fisnik, i cili është dërguar për njerëzit si udhëzim dhe sqarues i së vërtetës. Kjo është edhe një specifikë tjetër e muajit të Ramazanit, krahas agjërimit. Është interesant se në Kur’an, muaji Ramadan, përmendet vetëm njëherë, madje, sipas tefsirollogut të njohur, Muxhahidit, fjala ramadan nuk ka as shumës. Me këtë, sikur ka dashur All-llahu xh.sh. të na tregojë për specifikën dhe veçorinë e kohës që kalojmë në këtë muaj, sikur të ishte një mundësi që të ofrohet vetëm një herë në jetë.

Agjërimi ynë, pos tjerash, i dedikohet edhe si mirënjohje dhe falënderim Krijuesit për dërgimin e udhëzimit dhe zbritjen e Kur’anit, dritën e pashuar deri në Kijamet.

Imam i tefsirit, Ibn Kethiri, kur e komenton këtë ajet, sjell transmetime në të cilat thuhet se të gjitha shpalljet e më parshme të All-llahut xh.sh. kanë zbritur në muajin Ramazan.

Përcillet nga Abdullah ibn Omeri r.a. se Pejgamberi a.s. të ketë thënë: “Kush e ruan Kur’anin (pra, e mëson dhe e zbaton atë), ai ka ruajtur në veten e tij pejgamberinë.”

Kur’ani, ashtu siç ai vetë e përshkruan veten, është libër udhëzues, dritë mbi dritë. Ai nuk erdhi që ta kufizojë njeriun apo ta ulë atë, porse t’ia falë lirinë dhe ta lartësojë atë.

Përgatiti: Mehas Alija

(Islampress)