Kur Vjosa Osmani irritohej nga “rimat” e Kurtit: S’kemi nevojë për këngë e poezi, por për zgjidhje

kur-vjosa-osmani-irritohej-nga-“rimat”-e-kurtit:-s’kemi-nevoje-per-kenge-e-poezi,-por-per-zgjidhje

“Shkon Lumezi, vjen Elezi”. Kjo ndoshta është fjalia më e popullarizuar e Kurtit e ndërtuar me rima që i ngjajnë një poezie, e përmes së cilave ai paralajmëron që disa herë se me ardhjen në pushtet të tij do ta largojë Aleksandër Lumezin nga pozita e kryeprokurorit, shkruan lajmi.net.

Jo vetëm si poezi, por si prozë e këngë duket se këto deklarata i cilëson tanimë bashkëpunëtorja ndoshta më e ngushtë e Kurtit, Vjosa Osmani.

Kjo e fundit, në një intervistë të dhënë më 24 shtator të 2019-ës, pak ditë para zgjedhjeve që do mbaheshin më 6 tetor,  thoshte se populli nuk ka nevojë për rimat e Kurtit, këngët, prozat e poezitë e tij.

“Jam çuditë tej mase kur e kam dëgju zotin Kurti duke thënë do ta marr personin X do ta bëj prokuror, do ta marr ypsilonin dhe do ta largoj nga kryeprokurori, dhe pastaj duke e quajtur simbolikë mirëpo prapë duke insistu që me qeverinë e re duhet me ardhë Prokuroria e re”, ka thënë ajo.

Në momentin që gazetari ia ndërpret  fjalën Osmanit, duke ia përmendur fjalinë “shkon Lumezi, vjen Elezi”, vjen edhe reagimi i ashpër i Vjosa Osmanit.

“Poezi që tingëllojnë mirë për veshin unë s’e kam ndërmend këtu  me ju tregu, askujt e në veçanti qytetarëve të Kosovës. Sepse nuk kemi nevojë për kangë, as prozë e as poezi por kemi nevojë për zgjidhje të problemeve”, thotë Osmani nmë 24 shtator në emisionin Pressing të T7.

E Kurti nuk ka hequr dorë ende nga ky diskurs i përdorur ndaj prokurorëve dhe kryeprokurorit Lumezi.

Para pak ditësh në një intervistë televizive, ai tha se përveç Lumezit, nga sistemi prokurorial i Kosovës do të largohen edhe persona të tjerë.

“Ne nuk jemi në qeveri edhe ne ishim 50 ditë në kohë të pandemisë. Tash po vimë për 4 plus 4 vjet. Dhe jo vec Lumezi, por kanë me shku plot. Dhe s’ka me u kthy vec Elezi, por kanë me u kthy plot të tjerë”, tha ai.

Kjo deklaratë kishte shkaktuar madje edhe reagimin e ashpër të Këshillit Prokurorial. /Lajmi.net/