Kur vdes ndërgjegjja, atëherë për njerëzit është më mirë nën tokë sesa mbi tokë

kur-vdes-ndergjegjja,-atehere-per-njerezit-eshte-me-mire-nen-toke-sesa-mbi-toke

Islami i kushton kujdes të madh zhvillimit të ndërgjegjes tek njeriu, sepse ai të cilit i ka vdekur plotësisht ndërgjegjja, vështirë se mund të klasifikohet si besimtar i sinqertë dhe se mund të shpresojë mirësinë dhe shpërblimin e Allahut në këtë botë dhe në botën e ardhshme, edhe nëse formalisht i kryen ibadetet e përcaktuara.

Ndërgjegjja është ndjenja e brendshme njerëzore, e cila e bën njeriun që ta vëzhgojë sjelljen e tij. Ai atëherë ka aftësi që ta dallojë të keqen nga e mira, në fjalë, në vepra dhe në ide, si dhe ka aftësi ta aprovojë dhe pranojë atë që është e mirë dhe e bukur, dhe ta refuzojë atë që është e keqe dhe e shëmtuar.

Tregohet se sundimtari i një shteti kishte urdhëruar që nëpër qytete të vendoseshin tabela në të cilat ishte shkruar mesazhi:“Ti nuk je vetëm, ne të gjithë po të shikojmë”, në mënyrë që ta zgjonte ndërgjegjen e njerëzve. Sepse, kur njeriu është i vetëdijshëm se të gjithë po e shikojnë, atëherë ai nuk do të veprojë në kundërshtim me normat ligjore dhe me postulatet e moralit shoqëror.

Ne muslimanët nuk kemi nevojë për thënie dhe mesazhe të tilla, sepse ne e dimë, se e kemi Atë, i Cili na mbikëqyr dhe na sheh në çdo kohë, dhe Ai është Allahu i Madhërishëm. Për fat të keq, ne këtë shpesh e harrojmë dhe e injorojmë. Ndërgjegjja e gjallë dhe e zhvilluar është gurë themeli i kontrollit brenda çdo njeriu. Ndërgjegje e gjallë është gjykatësi, polici dhe rojtari, dhe ajo është peshojë precize e cila e ndan të vërtetën nga mashtrimi, të drejtën nga e gabuara. Pa ndërgjegje të zhvilluar dhe të gjallë në jetën e shoqërisë, nuk do të rritet asgjë përveç mjerimit, çrregullimit dhe pasigurisë, pavarësisht se sa është i zhvilluar sistemi shtetëror, ligji dhe metodat e kontrollit të krimit.

Për fat të keq, në shoqëritë moderne shumë njerëzve u ka vdekur ndërgjegjja, disave ju ka ra në gjumë, kurse disa e kanë shitur për pak para. Ne sot i shohim të gjitha këto grupe në shoqëri. Shohim politikanë, gjyqtarë, nëpunës shtetërorë, studiues, profesorë, tregtarë, të cilët shumë lirë e kanë shitur ndërgjegjen e tyre, dhe bashkësinë shoqërore e kanë sjellë në situatë të vështirë dhe të palakmueshme.

Dhe kur të shitet ndërgjegjja, atëherë shohim sesi punëtori sillet në mënyrë të papërgjegjshme ndaj punëdhënësit, kurse punëdhënësi e shfrytëzon pa mëshirë punëtorin; shohim edhe gjyqtarin që gjykon gabimisht dhe luan me jetën dhe nderin njerëzor; e shohim se si ai të cilit i kemi dhënë borxh–e mohon borxhin që ka marrë, dhe;shohim sesi ata të cilëve ju është besuar ndonjë amanet – me lehtësi e tradhtojnë amanetin e besuar.

Kur të humbet ndërgjegjja, atëherë shfaqen tregtarë dhe kamataxhi të pashpirt, të cilët i shfrytëzojnë nevojat e njerëzve, dobësinë dhe varfërinë e tyre,për të fituar në çdo mënyrë, madje edhe në llogari të ushqimit dhe veshjeve për të uriturit dhe të varfrit, në llogari të nevojave të jetimëve dhe ilaçeve për të sëmurët.

Kur të shitet dhe të humbet ndërgjegjja, atëherë njerëzit janë të gatshëm të ju lëndojnë, të ju pushojnë nga puna, të ju shkatërrojnë karrierën, madje edhe t’ju vrasin dhe t’ia vënë zjarrin shtëpisë dhe pasurisë suaj pa asnjë arsye.

Kur të humbët ndërgjegjja, do të shihni sesi dëshmitari dëshmon rrejshëm pa pendim, do të shihni sesi të fuqishmit e kthejnë zullumqarin dhe kriminelin në viktimë, kurse viktimën në zullumqar dhe kriminel.

Kur të humbët ndërgjegjja, do të shihni një shumicë të atyre që, pa asnjë përgjegjësi dhe ndjenjë të fajit, e tradhtojnë popullin dhe shtetin e tyre për të cilët janë derdhur lumenj gjaku dhe loti të nënave.

Kur të humbët ndërgjegjja, gjithçka bëhet e lejueshme: gënjeshtra dhe dëshmia e rrejshme, tradhtia, vjedhja, pasuria haram, imoraliteti, vrasja dhe të gjitha veprimet e tjera jo normale dhe të pamoralshme.

Kur të humbët ndërgjegjja, mendjet njerëzore bien në gjumë, urrejtja shpërthen në sipërfaqe si vullkan, shembet njerëzimi dhe humanizmi tek njerëzit,dhe humbin ndjenjat për vlerën e tyre. Atëherë njerëzit nuk përfitojnë nga begatia e mendjes, dëgjimit dhe shikimit, siç thuhet në ajet:“Ata kanë zemra me të cilat nuk kuptojnë, kanë sy me të cilët nuk shohin, kanë veshë me të cilët nuk dëgjojnë. Ata janë si shtazë, madje, edhe më të zi. Ata janë të pakujdesshëm.” (el-A’raf, 179)

Kur të vdes ndërgjegjja, prishen standardet e vlerave, dhe atëherë e mira bëhet e keqe, kurse e keqja bëhet e mirë, atëherë tradhtari bëhet i besueshëm! Kur të vdes ndërgjegjja,
atëherë për njerëzit është më mirë nën tokë sesa mbi tokë.

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)