Kur kryetarja e Speciales premtonte se do të hetohen serbët që kryen masakra në Kosovë

kur-kryetarja-e-speciales-premtonte-se-do-te-hetohen-serbet-qe-kryen-masakra-ne-kosove

Përveç që shprehu gatishmëri për gjykime të drejta e të paanshme, e para e Speciales dha edhe një tjetër zotim.

Në një intervistë në Kosovë, Trendafilova ishte shprehur e bindur se do të hetohen të gjitha krimet në Kosovë, pavarësisht etnisë, duke përfshirë edhe serbët.

“Secili dhe kjo është mjaft e rëndësishme, secili, pavarësisht etnisë, që ka kryer krime ndaj qytetarëve të Kosovës dhe Ish—Jugosllavisë do të llogaritet përgjegjës. Ligji thotë se kushdo që ka kryer krime, ndaj shtetasve të Kosovës, do të gjykohet. Nëse dikush ka kryer krime gjatë luftës është nën juridiksionin tonë. Ligji nuk e parandalon këtë”, kishte thënë Trendafilova në KTV para gati 5 vjetësh.

Por, deri tani asnjë proces hetimor nuk ka nisur ndaj serbëve që kryen masakra në Kosovë, pavarësisht se një gjë e tillë është e mundur edhe me ligj.

Neni 9 i Ligjit thotë se Specialja ka juridiksion mbi krimet që janë kryer nga janari 1998 deri në dhjetor 2000, e ku autori ose viktima kishin nënshtetësi kosovare ose të ish-Jugosllavisë.

Edhe raporti i Këshillit të Evropës mbi të cilin u themelua Specialja, flet për të gjitha krimet e kryera, pa specifikuar etninë.

Se mund të hetohen edhe krimet serbe në Kosovë, e thotë edhe avokati Artan Qerkini.

“Prokuroria fare nuk i ka hetuar krimet të kryera nga forcat e Serbisë, dhe nëse nuk i heton nuk mund të ngrit aktakuzë, dhe nëse nuk ka aktakuzë nuk ka as gjykim. Edhe kryerësve serbe të veprave penale, do tu mundësohet një gjykim i drejtë dhe i paanshëm pasi prokurorët e gjyqtarët janë ndërkombëtar, dhe serbët nuk do të mund të thonin ja po na gjykojnë shqiptarët”, tha Qerkini për RTK-në.

Anton Nrecaj nga Qendra për Ndihmë Juridike e Zhvillim Regjional, thotë se edhe Kosova duhet të dërgojë në Hagë dosje e prova për krimet serbe.

“Sepse ne nuk kemi ofru prova të mjaftueshme, kemi disa procese të krimeve të luftës që kanë ndodhur në Kosovë, por që pjesa më e madhe e atyre që kanë kryer krime janë në Serbi. Edhe Kosova duhet të çojë prova e dosje në Hagë”, u shpreh Nrecaj.

Në Hagë deri më tani po gjykohen 6 ish-pjesëtarë të UÇK-së si të dyshuar për krime lufte, e dy të tjerë për publikimin e dosjeve të Speciales kohë më parë.