Kosova me masa të lehtësuara, numri i rasteve aktive me COVID-19 mbetet i lartë

kosova-me-masa-te-lehtesuara,-numri-i-rasteve-aktive-me-covid-19-mbetet-i-larte

Pavarësisht se Kosova është ndër vendet e pakta që nuk ka filluar ende vaksinimin e popullsisë me vaksinën anti-Covid, masat për mbrojtje nga virusi janë lehtësuar, shkruan lajmi.net.

Por, numri i rasteve aktive po vazhdon të jetë i lartë.

Brenda 24 orëve të fundit, 249 raste të reja me koronavirus janë regjistruar nga 2868 testime të mostrave të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të dyshuara për infektim me COVID-19.

Përveç kësaj, edhe 316 pacientë janë shëruar brenda 24 orëshit të fundit.

Në 24 orët e fundit janë raportuar 3 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 2 raste (42, 86 vjeç) dhe Vushtrri 1 rast (76 vjeç).

Kështu, numri total i rasteve pozitive në Kosovë që nga fillimi i pandemisë është 64768 raste nga gjithsej 271493 persona të dyshuar për virusin Korona që janë testuar.

Nga ky numër i përgjithshëm, 56344 pacientë janë shëruar ndërsa 1548 e kanë humbur betejën me COVID-19.

Së këndejmi, numri i rasteve aktive në Kosovë është 6876 raste.

Prishtina vazhdon të jetë qyteti me më së shumti raste me koronavirus, por edhe qendrat e tjera të mëdha në Kosovë kanë numër të lartë.

Gjendja nëpër klinikat e QKUK-së dhe spitalet rajonale raportohet të jetë stabile, por një rritje tjetër e rasteve aktive do të shkaktonte probleme të mëdha në trajtimin spitalor të pacientëve sipas ekspertëve. /Lajmi.net/