Kosnett thotë se po përpiqen që t’i ndihmojnë Kosovës në sigurimin e vaksinave

kosnett-thote-se-po-perpiqen-qe-t’i-ndihmojne-kosoves-ne-sigurimin-e-vaksinave

Se a mund të vijë ndonjë kontingjent me vaksina nga SHBA në Kosovë, Kosnett ka thënë se nuk mund të japë asnjë premtim në këtë drejtim, por se po përpiqet që të ndihmojë në këtë drejtim.

“Nuk po premtoj asgjë. Çka po them është se shpresoj të jetë ashtu. Sigurisht, ekipi im në Ambasadë dhe unë jemi në kontakt të vazhdueshëm me njerëzit në Washington duke ua shpjeguar nevojat e Kosovës, duke shpjeguar hapat që Kosova po i merr për të ndihmuar veten, që është pjesë e rëndësishme e kësaj”.

Kosnett ka thënë se e vlerëson mundin e institucioneve kosovare për të siguruar vaksinat për qytetarët, si dhe atyre që përballën në vijën e parë me pandeminë, njofton Klan Kosova.

“Kam respekt të pafund për reaguesit e parë: mjekët, personelin shëndetësor, policinë, të tjerët, që po bëjnë më të mirën për ta mbajtur Kosovën të sigurt. Shtetet e Bashkuara tani i kanë zotuar katër miliardë dollarë për mekanizmin Covax përmes së cilit shtetet, përfshirë Kosovën, po i marrin donacionet me vaksina. Presidenti Biden ka thënë se tani që prodhimi i vaksinave në Shtetet e Bashkuara është shtuar dhe kemi mundësinë të kujdesemi për tanët, që duam jashtëzakonisht shumë të bëjmë më shumë për t’ju ndihmuar vendeve tjera”.
Ambasadori amerikan ka thënë në Rubikon se është edhe një pjesë ku zhgënjehet nga kosovarët.

“Mendoj se ka shumë qytetarë të rëndomtë në Kosovë që nuk po e marrin pandeminë me seriozitetin e duhur. Dhe këtë e kemi parë që një vit. Të gjithë, e kuptoj, njerëzit janë lodhur duke bartur maskë. Kosovarët janë evropianë. Keni kulturë të kafes. Njerëzit duan t’i shohin miqtë e tyre. Por, kur njerëzit shkojnë në kafe me miqtë e tyre e pastaj shkojnë në shtëpi, ata i vënë anëtarët e familjeve të tyre në rrezik, veçanërisht sepse ky është vend ku shumë njerëz jetojnë në shtëpi me shumë gjenerata. Pra, të rinjtë dalin bashkë dhe pastaj kthehen në shtëpi e ndoshta i infektojnë gjyshërit. Është problem serioz. Madje edhe pas vaksinimit, ende do të duhet të bartni maskën, të lani duart, të mbani distancën shoqërore. Dhe natyrisht të gjithë janë lodhur me këto, por nuk kemi ardhur ende në atë pikë sa të shkujdesemi. Mendoj se nëse kam mundësi t’ju them njerëzve në Amerikë, të cilët vendosin mbi të ardhmen e shpërndarjes së vaksinës, që Kosova po bën gjithçka që mundet për ta ndihmuar veten, atëherë kjo përbën argument më të fuqishëm që Amerika duhet t’i drejtojë vaksinat në Kosovë”.