Kontejneri me 143 kg kokainë, arrestohen dy administratorët e kompanisë

kontejneri-me-143-kg-kokaine,-arrestohen-dy-administratoret-e-kompanise

Kompania e themeluar në 20 mars 2018, administrohet nga dy ortakët Erion Peti dhe Klajdi Xibraku.

​Policia ka bërë arrestimin në flagrancë të  2 administratorëve të  kompanisë pritëse të ngarkesës me banane.

​Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës dhe Drejtoria Vendore e Kufirit​, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me strukturat doganore dhe autoritetin portual Durrës.

Hetimet po drejtohen nga prokurorë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe prokurorë të SPAK-ut.

“Si rezultat i operacionit, gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në një kontenier të ngarkuar me banane, i cili ishte nisur nga porti i GUAYAQUIL në Ekuador dhe kishte kaluar tranzit në portin “GIOIA TAURO”, Itali​, me destinacion Shqipërinë, për llogari të një firme me qendër në Tiranë, me administratorë shtetasit E. P. dhe K. X., shërbimet policore dhe ato doganore gjetën të fshehura në tavanin e kontenierit​, pako të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar kokainë me peshë totale 143 kilogramë.Në vijim të veprimeve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës u arrestuan në flagrancë shtetasit K. X., 30 vjeç dhe E. P., 42 vjeç, të dy banues në Tiranë” njofton policia.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.