Kërkohet krijimi i një ligji për mbrojtjen nga të gjitha format e dhunës në baza gjinore

kerkohet-krijimi-i-nje-ligji-per-mbrojtjen-nga-te-gjitha-format-e-dhunes-ne-baza-gjinore

Kosova nuk ka qendër të specializuar të referimit të dhunës seksuale ose qendra të krizave të përdhunimit. Për më tepër Strategjia Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje po zbatohet vetëm 27 për qind. Përveç problemeve me buxhet, institucionet po kritikohen për mos trajtim të rasteve në kohë, e që në shumë raste po vendosin në rrezik edhe jetën e grave.

Gjyqtarët kërkojnë nga familjet që të pajtohen, ani pse nuk është në kuadër të mandatit të tyre.

Kështu u tha në lansimin e raportit “Nga Ligjet në Vepra: Monitorimi i reagimit institucional ndaj dhunës me bazë gjinore në Kosovë” nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

Autorja e hulumtimit Nicole Farnsworth tregoi se qëllimi i këtij raporti ishte të krijohet një shoqëri ku gratë jetojnë të lira nga dhuna me bazë gjinore. E që po ashtu të ketë rekomandime të qarta dhe për të informuar për ndryshim të ligjeve dhe politikave të Kosovës në përputhje me Konventën e Stambollit.

Në këtë raport janë intervistuar 190 përfaqësues të institucioneve dhe organizatave dhe janë monitoruar 297 raste të dhunës në familje.

“Nuk ekziston asnjë qendër e specializuar e referimit të dhunës seksuale ose qendra të krizave të përdhunimit. Aspektet e Kodit Civil kanë nevojë për ndryshime, për shembull shërbimi social dhe familjar dhe Ligji për Familjen. Korniza e politikave adreson në mënyrë gjithëpërfshirëse dhunën në familje dhe trafikimin por jo edhe format e tjera të dhunës me bazë gjinore, për shembull dhunës seksuale apo përndjekje. Të bëhet urgjentisht një strategji që adreson të gjitha format e dhunës ndaj grave e cila përmban një kuptim gjinor të dhunës dhe përgjegjësi të hollësishme ndaj kësaj dhune”, shton ajo.

Më tutje, në këtë hulumtim thuhet se në disa komuna nuk ka mekanizma funksionalë të koordinimit të dhunës në familje. E, shumë respondentëve ende ju mungon kuptimi i dhunës me baza gjinore, relacionet gjinore, shumë pak kanë njohuri për dhunim, ngacmim seksual. Për më tepër, ende vazhdon fajësimi i viktimave.

“Vetëm 27 për qind të strategjisë ishte zbatuar plotësisht, 52 për qind pjesërisht dhe 21 për qind nuk ishte zbatuar. Problemet kryesore janë; progresi në rehabilitimin dhe ri-integrimin shumë të kufizuar. Nuk ka programe gjithëpërfshirëse për viktimat ose rastet e duhura të menaxhimit. Alokimit të pamjaftueshme të buxhetit, mungesa e banesave sociale, programet e dobëta të punësimit dhe të rehabilitimit të aktorëve të krimit”, ka shtuar ajo.
Më tej, në këtë raport përmendet që shumë gjyqtarë kërkojnë të pajtojnë familje, duke vendosur në rrezik viktimat.

“Vonesat vazhdojnë në trajtimin e rasteve, duke i vendosur viktimat në rrezik. Pak masa të caktuara në urdhrat e mbrojtjes, duke penguar në qasje gjithëpërfshirëse, të përqendruara te viktimat. Disa gjyqtarë ende kërkojnë të pajtojnë familjet, edhe pse jo brenda mandatit të tyre dhe i vendosin viktimat në rrezik. Gratë që tërheqin dëshmitë e tyre dhe gjykatat që heqin akuzat finale vazhdojnë pavarësisht detyrimet ligjore për të vazhduar me exoficcio”, përmend ajo.

Drejtoresha e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia tha se Prishtinë për mbi 40 mijë studentë kanë vetëm 9 psikologë dhe pedagogë, kështu sipas saj është shumë e dobët edhe hallka e parandalimit të dhunës në familje.

“Jemi dëshmitarë që në dy vitet e fundit kemi humbur jetë grash pikërisht si pasojë e recidivizmit, të rasteve të cilat kanë qenë një kronikë e paralajmëruar e vrasjes dhe fatkeqësisht nuk kemi arritur të shpëtojmë jetën e këtyre grave. Besoj që ky është një alarm për të gjithë ne si shoqëri e cila synon sundimin e ligjit. Është momenti i fundit që të koordinohemi, dakordohemi, të kemi përgjegjësi të ndara. Të ketë shumë më tepër llogaridhënie institucionale karshi fenomenit të trajtimit, por mbi të gjitha edhe parandalimit”, ka theksuar ajo.

Ajo pati kritika edhe për zbatim të Konventës së Stambollit, për çka shtoi se tregon se Kosova nuk e ka ende të qartë se e njëjta është obligative.

“Në dy muajt e fundit kemi pasur dy raste të ligjeve të reja të cilat synojnë fusha shumë të rëndësishme të interesit, të cilat në përgjithësi ishin larg kërkesave dhe obligimeve që na obligon Konventa e Stambollit tani si instrument drejtpërdrejt i zbatueshëm në Kosovë. Për ne si agjenci, ky fakt është shqetësues, për arsye se Konventa hyri në fuqi në shtator të vitit 2020. Dhe si duket ne kemi një reagim të ngathtë për të kuptuar që kjo Konventë është obligative, e cila na obligon për zbatim germë për germë”, ka shtuar Gusia.

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala tha se me rregulloren e fundit të qeverisë, ky dikaster është institucioni i cili ofron ndihmë për viktimat e dhunës në familje dhe atyre të trafikimit të qenieve njerëzore. Ajo bëri të ditur se gjatë javës do të mblidhet edhe grupi ndërministror.

“Për këtë si qeveri njëra nga prioritet është adresimi i fenomenit të dhunës në familje. Si koordinatore nacionale kundër dhunës në familje këtë javë do të mbledh grupin koordinues ndërministror kundër dhunës në familje, me synimin e ndërmarrjes së hapave konkret për sa i takon obligimeve që burojnë nga Konventa e Stambollit dhe planifikimeve nga MD për sa i takon themelimit të sekretariatit të Zyrës së Koordinatorit, strategjisë dhe planit të veprimit”, ka deklaruar ajo.

Shala tha se do të procedojnë për Strategjinë për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, për çka shtoi se kanë prioritet edhe mbështetjen e strehimoreve. Ky raport është bërë në bashkëpunim me Agjencinë për Barazi Gjinore në Kosovë/ Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.