Kadri Veseli erdhi në Kosovë pasi babai i tij pësoi sulm në tru

kadri-veseli-erdhi-ne-kosove-pasi-babai-i-tij-pesoi-sulm-ne-tru

Ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli është liruar për vizitë nga Haga ku po mbahej në paraburgim si i dyshuar për krime lufte.

Në një përgjigje me shkrim, zëdhënësja e Speciales tha për lajmi.net se për shkak të arsyeve bindëse humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë vizitën e Veselit në Kosovë.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë një vizitë kujdestarie në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë”. I akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara. EULEX dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Speciales.

Ndërkohë Klan Kosova mëson se babai i Kadri Veselit ka pësuar sulm në tru dhe se tani është i shtrirë në spitalin e neurologjisë.

Kadri Veseli është parë sot gjatë ditës duke dalë nga spitali i Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”, aty ku po trajtohet babai i tij.

Kujtojmë se në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, u arrestuan dhe u dërguan në Hagë katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-ministri i qeverisë së përkohshme, Rexhep Selimi.

Më 4 nëntor, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Speciales. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata edhe se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.

The post Kadri Veseli erdhi në Kosovë pasi babai i tij pësoi sulm në tru appeared first on Mesazhi.com.