Izraeli shpreh gatishmëri për t’i ndihmuar Kosovës në sigurimin e vaksinave

izraeli-shpreh-gatishmeri-per-t’i-ndihmuar-kosoves-ne-sigurimin-e-vaksinave

Izraeli ka shprehur gatishmëri që t’i ndihmojë Kosovës për të siguruar vaksina kundër koronavirusit.

Kështu është thënë në një komunikatë për media të Ministrisë për Punë të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, teksa është bërë i ditur një takim virtual që do të zhvillohet të mërkurën pasdite në mes të ministrit në detyrë të Shëndetësisë Armend Zemaj dhe ministrit izraelit të Shëndetësisë Yuli Edelstein.

“Ky takim është organizuar për të diskutuar rreth ndihmës së Izraelit në sigurimin e vaksinave anti-Covid19 për popullin e Kosovës”, është thënë në njoftim.

Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit.

Skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, përmes së cilës pritet të shpërndahen vaksinat për koronavirus në vendet e varfra, ka bërë të ditur se Kosova mund të furnizohet me këtë vaksinë deri në muajin maj.

Në dërgesën përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, në fillim të muajit janar, pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer, për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.

Mirëpo zyrtarë të kësaj kompanie i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ende janë në diskutime me Qeverinë në detyrë të Kosovës për furnizim me vaksina.

The post Izraeli shpreh gatishmëri për t’i ndihmuar Kosovës në sigurimin e vaksinave appeared first on Mesazhi.com.