Ismaili: Për Albin Kurtin  më me rëndësi ishin zgjedhjet në Shqipëri se jeta e kosovarëve që po vdesin në mungesë të vaksinave

ismaili:-per-albin-kurtin- me-me-rendesi-ishin-zgjedhjet-ne-shqiperi-se-jeta-e-kosovareve-qe-po-vdesin-ne-mungese-te-vaksinave

“Ne kemi parë të ndërrohen tri Qeveri, por jo edhe të ndryshojë situata që po e rëndon jetën e qytetarëve gjithnjë e më shumë. Asnjëra prej tyre nuk dha përgjigje për çështjen e vaksinimit, për investimet, për blerjen e barnave me çmime shumë të shtrenjta, ashtu siç në krejt këto sfida as nuk krijuan rrethana lehtësuese për qytetarët.”, tha Ismaili, transmeton lajmi.net.

Gjatë fjalimit të tij, sekretari i PDK-së shtoi se ajo që pamë prej formimit të kësaj Qeverie – ishte se prioritet politik i Albin Kurtit dhe kësaj Qeverie ishin zgjedhjet në Shqipëri.

“Prioritet për të ishte Bojkeni, e jo qytetari i Kosovës.”, ka thënë Ismaili.

Duke e quajtur të turpshme fushatën në Shqipëri e largimin nga pandemia, Ismaili ka thënë se është e pafalshme refuzimi i vaksinave i Kryeministrit të Kosovës nga Shqipëria.

Ismaili i ka kërkuar Kurtit që ta kthejë Qeverinë e Kosovës kah qytetarët e saj.

“Qytetarët, që edhe sot janë duke u përballur me vështirësi dhe të vetmuar pa ndihmën e Qeverisë.  Xhepi i qytetareve është zbrazur në përballje me pandeminë.  Çdo ditë ata blejnë barna të stër-shtrenjtuara, sepse tri Qeveritë krijuan favore për tregtarët e barnave – të cilat plaçkitën qytetarët në kohë pandemie.”, ka thënë Ismaili.

Në mungesë të vaksinave, ka disa ditë që qendra e vaksinimit në Prishtinë është mbyllur.

Ismaili ka thënë se jemi Kryeqyteti i vetëm në Evropë – në të cilin nuk ka vaksinim aktiv.

Në fund, deputeti i PDK-së ka thënë se Qeveria ka vetëm një detyrë. Të blejë 2.5 milionë vaksina për qytetarët e Kosovës.

“Qytetarëve u duhen përgjigjet nga Albin Kurti dhe Arben Vitia, të cilët duhet të japin përgjegjësi për pasivitetin e madh, shpërqendrimin e prioriteteve dhe mungesën e transparencës. Qytetarët duhet ta dinë se kur është muaji që Kosova do ta përfundojë vaksinimin, kur është muaji që Kosova mund të hapet, dhe të kthehet normaliteti. Këtë përgjigje e presin sot ata.”, ka thënë Ismaili. /Lajmi.net/