Ish-ministri Zemaj reagon për ardhjen e afro 5 mijë vaksinave në Kosovë

ish-ministri-zemaj-reagon-per-ardhjen-e-afro-5-mije-vaksinave-ne-kosove

Ai në një postim në Facebook ka thënë se miqësia jonë me popullin austriak është e përjetshme.

“Austria përveç këshillimeve që i kemi pasur na shtriu dorën me vaksina, ashtu si gjatë historisë. Çdo vaksinë është e mirëseardhur. Gjatë vizitës zyrtare në Vjenë, në takim me ministrin federal të Shëndetësisë, Rudolf Anschober, pata theksuar se miqësia e popullit austriak për popullin tonë është vlerë e veçantë”, shkruan Zemaj.

Ai me këtë rast ka falënderuar ambasadorin e Austrisë në Prishtinë, Christoph Weidinger dhe ish-ministrin Rudolf Anschober, presidenten e KE-së Ursula von der Leyen dhe komisionarin për Zgjerim Oliver Varhelyi, duke thënë se miku njihet në ditë të vështira.

Ndryshe, sot në Kosovë kanë ardhur rreth 5 mijë doza të vaksinës Pfizer/BioNTEch nga 95 mijë sa janë planifikuar të vijnë.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se procesi i vaksinimit do të vazhdojë nesër duke filluar nga ora 10:00, në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Kosova është ndër vendet e fundit në botë që ka nisur vaksinimin, pas ardhjes së 24 mijë dozave të vaksinave AstraZeneca në fund të muajit mars, të cilat tashmë kanë mbaruar.