IKShPK: Brengosëse rritja e numrit të vdekjeve dhe rasteve pozitive me COVID-19, respektoni masat

ikshpk:-brengosese-rritja-e-numrit-te-vdekjeve-dhe-rasteve-pozitive-me-covid-19,-respektoni-masat

Me rritjen e numrit të rasteve të vdekjeve dhe pozitive, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë thirrje për respektim të masave antiCOVID-19 duke thënë se kjo është brengosëse dhe se e gjitha u krijua si shkak i neglizhencën e masave të vendosura nga institucionet shëndetësore e institucionale.

“Duke pasur parasysh vlerësimin dinamik dhe në kohë reale të situatës epidemiologjike me COVID -19, sot janë raportuar 592 raste pozitive, që paraqet numrin më të madh të rasteve pozitive këtë vit me tendencë të rritjes ditëve në vijim. Vetëm Në Prishtinë janë raportuar 218 raste pozitive. Shprehim ngushëllime familjarëve për 6 rastet e vdekjeve të raportuara gjatë 24 orëve të fundit. Numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave. Mjekët të stërngarkuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore. IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19”, thuhet në thirrjen e IKShPK-së.

IKShPK edhe njëherë ka rekomanduar që ndalohen tubimet, aktivitetet publike dhe kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale.

“Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.

Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë. Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës”, thuhet ndër tjera në njoftimin e IKShPK-së.

Ndërkohë që vetëm në Prishtinë janë shënuar 218 rate të reja me COVID-19.

Që nga 13 marsi i 2020-tës, e deri më sot në Kosovë janë infektuar me COVID-19 72 mijë e 500 persona, ndërsa kanë vdekur 1 mijë e 640 të tjerë. /Lajmi.net/