Idetë dhe parimet themelore të Kuranit (pjesa e dytë)

idete-dhe-parimet-themelore-te-kuranit-(pjesa-e-dyte)

Falënderimi i takon vetëm Allahut i Cili na ka krijuar, na ka dhënë shpirt, na ka dhënë mrndje, na ka dërguar pejgamberë dhe shpallje, në mënyrë që ta njohim Atë, dhe prej Tij të kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Paqja dhe shpëtimi qofshin mbi pejgamberin e mëshirës, i cili na i transmetoi fjalët e Allahut, duke na mësuar se si të jetojmë sipas Kuranit. I dërgojmë salavate dhe selam familjes së tij, sahabëve dhe tabi’inëve, si dhe të gjithë pjesëtarëve të umetit të tij nga Lindja në Perëndim.

Vëllezër të respektuar!

Në hutben e kaluar folëm për idetë dhe parimet themelore të Kuranit, ku i theksuam disa nga këto parime si: Njëshmërinë e Allahut, përdorimin e mendjes, refuzimin e traditave joislame dhe kryerjen e veprave të mira. Duke vazhduar të flasim më tej për parimet e Kuranit, vijmë te një parim shumë i rëndësishëm për të cilin thërret Kurani dhe ai është:

1. Drejtësia dhe paanësia. Kurani na bën thirrje që gjithmonë dhe në çdo vend të jemi të drejtë. Allahu i Plotfuqishëm thotë: [1]

“Allahu ju urdhëron që detyrat e besueshme t’ua besoni atyre që janë të denjë për to dhe kur të gjykoni në mes njerëzve – gjykoni drejt; Allahu, në të vërtetë, ju këshillon mrekullueshëm. E, Allahu me të vërtetë dëgjon çdo gjë dhe sheh gjithçka!” (En-Nisa’, 58)

Fjala “adl” (drejtësi), do të thotë, moderim në gjithçka, dmth. Vendosja e të gjitha gjërave në vendin e tyre, kurse fjala “adalet” (drejtësi-jurispruencë) është një cilësi që njeriun e mbron nga gjithçka që përdhos njerëzillëkun e tij. Pejgamberi (savs) ka thënë: “Me të vërtetë, të drejtët janë tek Allahu në minbere të ndriçuara; ata që e zbatojnë drejtësinë në gjykimet e tyre, në familjet e tyre dhe tek vartësit e tyre.”

Drejtësia duhet të jetë në gjithçka dhe mbi të ndërtohet ligji i Allahut. Aty ku ka drejtësi nuk ka dhunë, ku ka drejtësi ka mirëqenie, ku ka drejtësi ka paqe, ku ka drejtësi secili e merr të drejtën e tij që meriton. Njeriu duhet të jetë i drejtë me fjalë, me veprat e tij, duhet të jetë i drejtë ndaj familjes, ndaj fëmijëve të tij, ndaj vartësve të tij, madje edhe ndaj kafshëve.

Prindi është i detyruar t’i trajtojë fëmijët e tij në mënyrë të drejtë kur u jep diçka, si dhe në situata të tjera. Ai nuk guxon disave t’u japë kurse të tjerëve t’u mohojë, pavarësisht, se a janë meshkuj apo femra.

En-Nu’man bin Bashir tregon: ”Babai im shkoi me mua te Pejgamberi (savs) dhe i tha: “Unë i kam dhuruar këtij djalit tim diçka nga pasuria ime.” Pejgamberi (savs) e pyeti: ‘A i ke dhuruar edhe çdo fëmije tjetër njëjtën gjë?’ Unë i thashë: ‘Jo, nuk e kam bërë, o i Dërguari i Allahut.’ Ai tha: “Atëherë, ktheja prap atë!”

Një nga emrat e bukur të Allahut është edhe ‘El-Adlu’, i Drejti. Ne më së miri do ta ndiejmë këtë cilësi të Allahut në Ditën e Gjykimit, kur, siç thotë Allahu, secili prej nesh që ka bërë një të mirë sa grimca do ta shohë, por edhe secili që ka bërë një të keqe sa grimca do ta shohë dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.

Një parim shumë i rëndësishëm, që Kurani përmend shpesh është:

2. Urdhëresa për vepra të mira dhe ndalimi nga të këqijat. Allahu i Lartësuar thotë: [2]

„Nga ju le të jetë një grup që thërret në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja. Të tillët janë ata të shptuarit.“ (Alu-Imran, 104)

Allahu urdhëron që në çdo bashkësi të ketë nga ata që do t’i urdhërojnë të tjerët të bëjnë vepra të mira dhe të largohen nga të ligat, dhe për sa kohë që ka njerëz të tillë në shoqëri Allahu nuk do ta dënojë atë shoqëri.

Nuk ka dyshim se ai që e sheh vëllain e tij në mëkat dhe nuk e këshillon ose nuk e parandalon, ai në këtë mënyrë e ndihmon atë në kryerjen e mëkatit, sepse e ka lënë të vazhdojë në mëkat pa asnjë përpjekje për ta parandaluar ose këshilluar, gjë që nuk është praktikë e fesë sonë fisnike, sepse: “Nuk ka besuar askush prej jush derisa të dojë për vëllain e tij atë që do për vetvetën!” – dhe sepse: “Feja është nasihat (këshillë).”

Nga Xhabiri (r.a.), është regjistruar se ka thënë: “Unë i dhashë besë Pejgamberit (savs), për bindje dhe dëgjueshmëri, kurse ai e plotësoi zotimin tim me fjalët vijuese: ‘Në atë që mundesh dhe në çka je në gjendje ta bësh, por edhe t’i japësh këshillë (nasihat) çdo muslimani!’ (Buhariu dhe Muslimi)

Sahabiu i famshëm Ebu Hurejre (r.a.), thoshte: “Kemi dëgjuar se në Ditën e gjykimit do të vjen një njeri i panjohur te një njeri tjetër dhe do t’i varet në qafë, kurse ky do t’i thotë: ‘Çka po don prej meje, unë nuk po të njoh?!’ Njeriu do t’i përgjigjet: Ti ke qenë dëshmitar i mëkatit dhe të keqes sime dhe nuk më ke penguar për të mos e bërë.”

Parimi vijues të cilin e kërkon Kurani është:

3. Autoriteti i Librit të Zotit. Konsiderimi dhe mbajtja e Librit të Zotit si autoritet i vetëm dhe burim i vendimit dhe gjykimit të Zotit, dmth si përfaqësues të vetëm të Zotit në kontestet midis njerëzve. Në ditët e sotme ne shohim se gjithnjë e më pak gjykohet sipas ligjeve të Zotit, madje edhe në ato mjedise ku muslimanët janë shumicë. Ligjet më të mira, më të përsosura dhe më efektive janë ligjet e Allahut, ndonëse i dëgjojmë disa që thonë se këto ligje nuk janë humane, se janë barbare dhe të prapambetura. Nëse do të punohej sipas ligjeve të Allahut, padrejtësia dhe shtypja do të zhdukeshin, imoraliteti dhe krimi do të zhdukeshin, nuk do të kishte fesad, as shtypje dhe as varfëri. Është për të ardhur keq që ne e kemi Kuran por nuk gjykojmë me të. Nëse nuk është e mundur që ligjet e Allahut të transferohen në nivelin e shtetit, atëherë ne duhet të përpiqemi t’i transferojmë ato në nivelin e bashkësisë, ose të paktën në nivelin e familjes sonë. Është shumë e rëndësishme, që t’i pranojmë ligjet e Allahut si më të mirat dhe më të përsosurat, dhe që të jemi të kënaqur me gjykimin e Allahut.

Allahu i Plotfuqishëm thotë: [3]

“Kur Allahu vendos për një çështje, ose i dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfare. E kush e kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij, ai është larguar shumë larg së vërtetës.” (el-Ahzab, 36)

I lutemi Allahut të Plotfuqishëm, që të na bëjë prej atyre që gjithmonë janë të drejtë, të cilët do të urdhërojnë të mirën dhe do ta ndalojnë të keqen, dhe që do të qeverisen me ligjet e Allahut. Amin.

Hatib: Bilal ef. Hodžić;

Përkthim me përshtatje: Miftar Ajdini

(Islampress)


[1] ) إِنَّ اللَّهَ يَأْمُرُكُمْ أَن تُؤَدُّوا الْأَمَانَاتِ إِلَىٰ أَهْلِهَا وَإِذَا حَكَمْتُم بَيْنَ النَّاسِ أَن تَحْكُمُوا بِالْعَدْلِ إِنَّ اللَّهَ نِعِمَّا يَعِظُكُم بِهِ إِنَّ اللَّهَ كَانَ سَمِيعًا بَصِيرًا ‌[٤-٥٨]

[2] ) وَلْتَكُن مِّنكُمْ أُمَّةٌ يَدْعُونَ إِلَى الْخَيْرِ وَيَأْمُرُونَ بِالْمَعْرُوفِ وَيَنْهَوْنَ عَنِ الْمُنكَرِ وَأُولٰئِكَ هُمُ الْمُفْلِحُونَ ‌[٣-١٠٤]

[3] ) وَمَا كَانَ لِمُؤْمِنٍ وَلَا مُؤْمِنَةٍ إِذَا قَضَى اللَّهُ وَرَسُولُهُ أَمْرًا أَن يَكُونَ لَهُمُ الْخِيَرَةُ مِنْ أَمْرِهِمْ وَمَن يَعْصِ اللَّهَ وَرَسُولَهُ فَقَدْ ضَلَّ ضَلَالًا مُّبِينًا ‌[٣٣-٣٦]