I hiqet imuniteti ish-kancelarit austriak Kurz

i-hiqet-imuniteti-ish-kancelarit-austriak-kurz

Kuvendi Kombëtar i Austrisë vendosi unanimisht për heqjen e imunitetit të kryetarit të Partisë Popullore (ÖVP) dhe ish-kancelarit Sebastian Kurz, për të cilin kanë nisur hetime për korrupsion, raporton Anadolu Agency (AA).

Ish-kancelarit austriak iu hoq imuniteti në seancën parlamentare me kërkesë të Prokurorisë për Krime Financiare dhe Kundër Korrupsionit.

Me heqjen e imunitetit të Kurz-it, prokuroria do të zgjerojë më tej fushën e hetimit ndaj tij.

Kurz, i cili i ka mohuar akuzat e prokurorisë për korrupsion, ryshfet dhe shpërdorim besimi ndaj tij, ka deklaruar se dëshiron që rasti të zbardhet sa më shpejt.

Më 6 tetor, zyra e prokurorit në Austri nisi një hetim kundër dhjetë personave, përfshirë Kurz-in, me akuza për korrupsion, ryshfet dhe shkelje të besimit.

Pas këtij rasti, një krizë udhëheqjeje u shfaq në qeverinë e koalicionit të Partisë Popullore të qendrës së djathtë dhe Partisë së Gjelbër. Koalicioni u shpëtua nga shpërbërja me dorëheqjen e ish-kancelarit Kurz, ndërsa në vend të tij u emërua ish-ministri i Jashtëm Alexander Schallenberg. /aa

The post I hiqet imuniteti ish-kancelarit austriak Kurz appeared first on Mesazhi.com.