I Dërguari i Allahut dhe mëkatarët!

i-derguari-i-allahut-dhe-mekataret!

Çdo besimtarë që e kërkon të vërtetën është i detyruar ta kërkojë udhëzimin e plotë në çdo segment të jetës që erdhi nga i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem.

I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem, e kishte për mision t’i frenonte krijesat e Allahut nga veprimet që Allahu i Madhërishëm i quajti mëkat. Kjo u sqarua nga ajet kur’anor i cili thotë: “…Prandaj këshillo me Kuranin këdo që ka frikë paralajmërimin Tim!” [KÂF, 45]

I Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue sel-lem, përqendronte t’i theksonte mëkatet, edhe nëse ato ishin të vogla, sepse ai dëshironte t’i mbrojë njerëzit nga çdo lloj mëkati. Për këtë shkak as’habët e tij ishin njerëzit më të devotshëm. Ata evitonin çdo gjë që ishte e dyshimtë, ashtu që ruheshin nga mëkatet e mundshme. Madje edhe nëse do të vepronin ndonjë mëkat, menjëherë shpejtonin të pendohen dhe bëjnë istigfar, sepse kështu i mësoi i Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue sel-lem.

Ai i mësonte as’habët, por edhe muslimanët në përgjithësi, që për çdo ditë të bëjnë sa më shumë istigfar, ashtu që numri i istigfarit të ishte më i madh se numri i mëkateve. Gjatë një rasti tha: “Kur ndonjëri prej jush kryen një vepër të ndaluar, le të bëjë një vepër të mirë menjëherë pas saj, e cila do ta fshijë atë vepër. Dhe silluni mirë me njerëzit”. (Tirmidhi)

I Dërguari i Allahut gjatë vërejtjeve të tij ishte jashtëzakonisht i drejtë. Vepronte njëjtë me të gjithë. Është i njohur rasti i gruas e cila vodhi diçka gjatë çlirimit të Mekkes, ndaj familja e saj e lutën Usame b. Zejdin që të ndërmjetëson tek i Dërguari i Allahut për vjedhësen, ndërsa ai refuzoi. Gjatë një rasti ka thënë, edhe sikur bija e tij Fatimeja të vidhte diçka, edhe ndaj saj do të sillesha në mënyrë të njëjtë.

Gjatë veprimeve të tij për t’i treguar mëkatet, ai përpiqej ta tregonte pakuptimësinë dhe dëmin e  tyre në mënyrë që njerëzit t’i shmangnin ato. Mëkatarët injorantë i udhëzonte me mençuri, dhe ishte shumë i vëmendshëm ndaj tyre. Nëse do të vërente që një njeri bënte mëkat nga injoranca, ai do të ishte i durueshëm me të, duke dashur ta udhëzonte atë në mënyrën e duhur.

Siç e përmendëm më lartë, ai i inkurajonte muslimanët të bënin ndonjë bamirësi menjëherë pas një gabimi në mënyrë që melekët ta zëvendësonin atë mëkat me një vepër të mirë.

Enes Ibën Maliku transmeton një rast kur erdhi një njeri te i Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue sel-lem dhe e informoi për mëkatin e tij, por meqë ishte koha pak para namazit, nuk i tha gjë deri pas kryerjes së namazit. Ndërsa kur ai ia përmendi edhe një herë mëkatin e tij, i Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue sel-lem e pyeti: “A nuk u fale me neve?” Njeriu iu përgjigj: “Po”. Atëherë i tha: “Allahu ta fali mëkatin tënd.”

Megjithëse ekziston dallim i madh midis mëkatarit injorant dhe atij që me vetëdije bën mëkat dhe i njeh urdhërat dhe pasojat e këtij mëkati, i Dërguari i Allahut, kishte durim edhe me ata që mëkatuan me vetëdije për ta lehtësuar dhe korrigjuar gjendjen e tyre në vend se ta vështirësonte.

Ky është shembull mjaft i bukur i tolerancës dhe fleksibilitetit të Islamit përmes të cilit i Dërguari i Allahut na mëson se edhe për mëkatet e mëdha ka gjithmonë rrugëdalje dhe zgjidhje që në fund të fundit mund të kthehet në bamirësi dhe përfundim të bukur.

Të shumta janë hadithet e të Dërguarit që na mësojnë se duhet të kemi durim dhe mirëkuptim ndaj mëkatarëve dhe të gjithë t’i trajtojmë bukur, sepse kurrë nuk e dimë nëse Allahu do të bëj që dikush të udhëzohet dhe shpëtojë për shkakun tonë apo të dikujt tjetër.

Krijuesi i botëve thotë: “Trego mëshirë, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit!”

Përgatitën: Admir Iković dhe Adisa Omerbašić
Përktheu: Lutfi Muaremi

[[email protected]]