Hetimet pa fund për “Autostradën e Gjilanit”, prokurorja rikthehet në punë pas katër muajve

hetimet-pa-fund-per-“autostraden-e-gjilanit”,-prokurorja-rikthehet-ne-pune-pas-kater-muajve

Tenderi që u nënshkrua nga ish-ministri i AAK-së, Pal Lekaj, ka mbetur akoma vetëm në fazën e hetimeve. Pretendimet për manipulimin e tenderit, që mund të jetë ndër më të mëdhatë në vitet e fundit sa i për ketë tenderëve, është duke i udhëhequr prokurorja e Prokurorisë Speciale, Habibe Salihu.

Ajo ka kryer të gjitha ekspertizat e nevojshme, të cilat kanë verifikuar shkelje të shumta, por akoma nuk është ngritur një aktakuzë ndaj asnjë zyrtari.

Lajmi.net ka mësuar se Salihu nuk ka qenë në punë për një kohë të gjatë. Mësohet se para rreth katër muajve, prokurorja së bashku me një grua tjetër kishte pësuar një aksident në komunikacion në një zonë të Prizrenit.

Lajmi.net më datë 19 janar 2021, ka kërkuar nga zyra e informimit të Prokurorisë informacion lidhur më këto pyetje: Deri ku kanë shkuar hetimet lidhur me rastin e Ministrisë së Infrastrukturës për projektin “Ndërtimi i Autoudhës A7.1 –Kryqëzimi në disnivel A6/A7. (Banullë) – udhëkryqi Bresalc –L 22.31 km ? Jo zyrtarisht është mësuar se prokurorja e rastit, Habibe Salihu nuk ka qenë në punë që disa muaj, a është e vërtetë kjo, nëse po, cila është arsyeja?”.

Prokuroria nuk ka dashur të jep asnjë informacion lidhur më këto pyetje. Lajmi.net jo zyrtarisht ka mësuar se prokurorja Salihu ka dalë në punë pak ditë pasi i janë drejtuar pyetjet zyrës së informimit.

“Prokurorja ka pësuar aksident, rreth katër muaj më parë, në afërsi të Prevallës. Ky aksident ishte raportuar edhe në raportin ditorë të policisë së Kosovës, ndonëse pa emra të të përfshirëve në të. Menjëherë prokurorja ka marrë trajtim mjekësor, dhe më pastaj ka punuar nga shtëpia. Diku në fillim të javës së kaluar ka dalë në punë”, kështu kanë bërë të ditur burimet e lajmi.net.

Lajmi.net kishte raportuar se në hetimet e Salihut janë të përfshirë drejtuesit e Organit Shqyrtues të Prokurimit, disa zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës së bashku me ish sekretarin e MIT, Betim Reçica, i cili derisa ka qenë në këtë ministri ka shfaqur afërsi të madhe me njerëzit e partisë së Ramush Haradinajt.

Ky zyrtar, i cili ishte suspenduar në kohën e qeverisjes LDK-LVV, së fundmi është rikthyer në punë në Ministrinë e Tregtisë si kryeshef në një agjenci. Ai po hetohet nga prokuroria edhe për përfshirjen e mundshme edhe në disa tenderë të tjerë të MIT-së.

Megjithëkëtë, me urdhër të prokurores, Reçicës i është sekuestruar një veturë luksoze e tipit “Audi RS 7”, që  dyshohet se është përfituar në mënyrë të kundërligjshme, e të cilën e kishte regjistruar në emrin e vëllait.

Dyshime për afërsi me AAK-në  ka shfaqur edhe vetë prokurorja e rastit, Habibe Salihu, kjo ngase vajza e saj në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 ka qenë kandidate nga radhët e AAK-së.

E njëjta nuk gjendet në listë këtë herë. Lajmi.net ka mësuar se ajo para pak muajve është punësuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe në rrjetin social Facebook shihet se po lobon për AAK-në për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Në dhjetor të vitit 2017, është nënshkruar kontrata për tetë lote (pjesë) për ndërtimin e Autostradës së Gjilanit e quajtur si Autostrada A7. Kontratat e nënshkruara kapën vlerën fiks 88,618,511.95 euro. Më pas kishin dalë punë shtesë dhe tenderi ishte rritur për disa milionë euro.

Fillimisht, procedurat tenderuese u përgatitën nën qeverisjen e Isa Mustafës, ku edhe u shpallën fituesit. Por, me të ardhur në pushtet qeveria Haradinaj, tenderi shkoi në rivlerësim, dhe pas ankesave që bënë kompanitë nën pretendimin për shkelje të ligjit u ndërruan kompanitë.

Më pas, nën dyshimin për dallavere gjatë rivlerësimit të tenderit, kishte nisur hetimet policia e Kosovës e cila kishte gjetur shkelje dhe kishte dorëzuar kallëzim penal në Prokurori. Specialja kishte nisur hetimet në fund të vitit 2018.

Në vitin 2019, prokuroria kishte autorizuar një ekspert ligjorë që të bëjë vetëm ekspertizën sa i përket shkeljeve të Ligjit të Prokurimit. Lajmi.net kishte raportuar se eksperti i angazhuar deri vonë kishte punuar në OSHP dhe kjo përbënte konflikt të interesit, pasi duhej të hetonte ish-shefat e tij. Më pas prokuroria e kishte zëvendësuar atë më një tjetër.

Lajmi.net e ka raportuar edhe për hartimin e raportit të dy ekspertëve ligjor të angazhuar nga Prokuroria Speciale, i cili është hartuar në fund të vitit 2021. Raporti përmban 31 faqe dhe ka konstatuar se për këtë aktivitet të prokurimit, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit e ministrisë dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit me veprimet  tyre e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës dhe kanë favorizuar ofertat e kompanive të papërgjegjshme, po ashtu kanë diskriminuar kompani tjera garuese. /M.B-Lajmi.net/

Ekspertiza e Prokurorisë për tenderin e autostradës së Gjilanit tregon shkeljet e shumta të ministrisë që udhëhiqej nga Pal Lekaj

Ekspertët e prokurorisë për Autostradën e Gjilanit: Drejtori i prokurimit ka dërguar letrën tek komisioni me kompanitë që duhej të fitonin