Haxhiu: Kurti iku nga Kuvendi, nuk dha llogari pse Kosova nuk ka vaksina

haxhiu:-kurti-iku-nga-kuvendi,-nuk-dha-llogari-pse-kosova-nuk-ka-vaksina

Sipas tij, prioritet për Kurtin, ishin kandidatët për deputetë nga LVV-ja në Shqipëri.

“Për fat të keq, qytetarët e Kosovës ndihen të braktisur nga Qeveria që e votuan më 14 shkurt, sepse për këtë Qeveri qytetarët deri më tani sa i përket çështjes së vaksinimit janë trajtuar si qytetarë të dorës së dytë, për kryeministrin Kurti dhe qeverinë e tij”.

“Për Kurtin, kandidatët për deputetë nga LVV-ja në Shqipëri ishin prioritet. Këta kandidatë për deputetë kanë qenë prioritet i kësaj qeverie gjatë këtij muajit të fundit dhe fushatës zgjedhore në Shqipëri. Kryeministrin më shumë e kemi parë me paraqitjet e tij dhe deputetët e mazhorancës, të cilët në vend se të merreshin me problemet që i ka Kosova, ata kanë protestuar dhe performuar për disa hidrocentrale në Shqipëri, derisa votat i kanë kërkuar në Kosovë”, u shpreh Haxhiu në Klan Kosova.

“Kjo tregon që për këtë qeveri qytetarët e Kosovës janë qytetarë të rendit të dytë, ndërsa kandidatët për deputetë nga subjekti i VV-së në Shqipëri kanë qenë prioritet për ta”.

Tutje Haxhiu tha që Kurti është larguar në momentin që filloi debati për vaksinat.

“Ai që dikur e kritikonte mungesën e qeverisë në debate parlamentare dhe të kryeministrave të kaluar, në momentin që filloi debati për pandeminë dhe mungesën e vaksinave në Kosovë, iku nga Kuvendi dhe shkoi u mor me disa çështje tjera, por jo për të dhënë llogari pse Kosova ende nuk ka kontratë për sigurimin e vaksinave”.

“Derisa vendet tjera të gjitha i kanë siguruar kontratat dhe presin furnizimin me vaksina, Kosova deri më tani ka marrë vetëm 24 mijë vaksina të cilat janë donacion përmes programit COVAX”, u shpreh ai.