Haradinaj kërkon hapjen e plotë të ekonomisë: Kurti po ndëshkon gastronominë me masa jologjike

haradinaj-kerkon-hapjen-e-plote-te-ekonomise:-kurti-po-ndeshkon-gastronomine-me-masa-jologjike

Ish-kryeministri ka kërkuar hapjen e plotë të ekonomisë.

“Pasi që numri i të infektuarve në vend ka shënuar rënie të ndjeshme, kërkojmë heqjen e menjëhershme të masave panikuese dhe hapjen e plotë të ekonomisë, ashtu siç dhe ka premtuar kjo qeveri. Çdo ditë e humbur është e pakompensueshme”, tha Haradinaj.

“Ndihmat qeveritare për këtë sektor, përpos që kanë qenë të vonuara, kanë qenë edhe të pamjaftueshme. Ndërkohë, qeveria ka vazhduar që me masa jologjike, të paargumentuara dhe me panikë, të ndëshkojë edhe më tutje gastronominë”, shtoi ai.

Shkrimi i plotë i Haradinajt në Facebook:

Gastronomia i ka bartur pasojat më të mëdha të izolimit dhe masave qeveritare të menaxhimit të pandemisë.

Sonte u bashkuam në iftar me gastronomë nga i tërë vendi, me të cilët biseduam për sfidat me të cilat vazhdojnë të përballen.

Ndihmat qeveritare për këtë sektor, përpos që kanë qenë të vonuara, kanë qenë edhe të pamjaftueshme. Ndërkohë, qeveria ka vazhduar që me masa jologjike, të paargumentuara dhe me panikë, të ndëshkojë edhe më tutje gastronominë.

Pas parasysh që shumica dërmuese e bizneseve që merren me gastronomi janë të vogla ose të mesme, mungesa e ndihmës shtetërore, mund të thellojë edhe më tepër rritjen e papunësisë që mund të çojë deri në rënien fatale të ekonomisë. 

Masat qeveritare që merren në kuadër të menaxhimit të pandemisë, kërkojnë analizë të kujdesshme, pasi që shumë prej tyre, kanë  shkaktuar pasoja të panevojshme ekonomike.

Pasi që numri i të infektuarve në vend ka shënuar rënie të ndjeshme, kërkojmë heqjen e menjëhershme të masave panikuese dhe hapjen e plotë të ekonomisë, ashtu siç dhe ka premtuar kjo qeveri. Çdo ditë e humbur është e pakompensueshme.

Unë dhe partia që e drejtoj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjithmonë kemi qenë dhe do të jemi në përkrahje dhe mbështetje të plotë të kërkesave legjitime të gastronomëve. Do të jemi bashkë me ta, për të kundërshtuar padrejtësinë që po i bëhet këtij sektori nga paaftësia e qeverisë që të ndërmarrë hapa të guximshëm në favor të rimëkëmbjes ekonomike.

RH