Guterrez për klimën: “Jemi në buzë të humnerës”

guterrez-per-klimen:-“jemi-ne-buze-te-humneres”

Viti 2020 ishte një nga tre vitet më të nxehta të regjistruara ndonjëherë dhe u karakterizua nga zjarre, thatësira, përmbytje dhe shkrirje akullnajash, thuhet në një raport të Kombeve të Bashkuara të publikuar të hënën.

Në raportin e hartuar nga Organizata Botërore e Meteorologjisë (WMO), thuhet gjithashtu se miliona njerëz të goditur nga ngjarjet ekstreme të klimës, morën një tjetër goditje për shkak të pandemisë së koronavirusit, pasi kufizimet dhe bllokimet vonuan ndihmën për disa rajone.

Raporti “Gjendja e Klimës Globale” konfirmon gjetjet e mëparshme, duke përfshirë ato për temperaturat në tokë dhe në oqean. Ai publikohet në prag të një samiti të kryesuar nga SHBA në 22-23 prill, ku Uashingtoni do të kërkojë të rikthejë besueshmërinë e tij për çështjet e ndryshimit të klimës përmes premtimeve të reja.

“Jemi në buzë të humnerës … Po shohim nivele rekord në stuhitë tropikale, në shkrirjen e akullit ose akullnajave, në lidhje me thatësirat, valët e të nxehtit dhe zjarret”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres për agjencinë Reuters.

Në raport thuhet se temperatura mesatare globale në vitin 2020 ishte rreth 1.2 gradë Celsius mbi periudhën para-industriale, duke e renditur atë në tre vitet më të nxehta të regjistruara ndonjëherë, krahas 2016-s dhe 2019-s pavarësisht ftohjes që solli uragani La Niña.

Ndër treguesit që theksohen në raport janë nivelet rekord të ulëta të akullit të detit Arktik gjatë dy muajve të vitit 2020. Rreth 80 për qind e oqeaneve regjistruan të paktën një valë të të nxehtit detar vitin e kaluar.

Shtetet e Bashkuara përjetuan zjarret më të mëdha ndonjëherë dhe uraganet më të mëdha që goditën tokën. Vetëm uragani Laura, i cili goditi Luizianën më 27 gusht, shkaktoi 19 miliardë dollarë humbje ekonomike.

Lugina e Vdekjes në Kaliforni gjithashtu regjistroi temperaturën më të lartë të njohur në botë në të paktën 80 vitet e fundit, me 54.4 gradë Celsius në muajin gusht, thotë raporti.

The post Guterrez për klimën: “Jemi në buzë të humnerës” appeared first on Mesazhi.com.