Formimi i safëve (në namaz) në kohën e pandemisë së virusit korona

formimi-i-safeve-(ne-namaz)-ne-kohen-e-pandemise-se-virusit-korona

PYETJE:

Selam alejkum!

Jemi në dyshim se si ta
formojmë safin – rreshtin (në namaz) në kohën e pandemisë dhe të masave të
jashtëzakonshme. A është e domosdoshme të insistohet në distancë, sepse ajo atëherë
nuk është në funksionin e saj primar.

Kurse nga ana tjetër, disa
anëtarë të xhematit në namazin e xhenazes, ose anëtarët e këshillave të
xhematit në xhuma, insistojnë që të mbahet distanca e caktuar.

PËRGJIGJE:

Alejkum selam!

Nëse safin e formojnë anëtarët
e një familjeje në shtëpinë (banesën) e tyre, ata duhet ta formojnë atë në
mënyrën e zakonshme. Nëse xhemati formohet me qëllim të faljes së namazit të
xhenazes, ose për faljen e namazeve ditore dhe namazit të xhumasë në xhami, dhe
safët i formojnë namazfalësit (muktedijtë), gjendja shëndetësore e të cilëve
është e panjohur, dhe ekziston rreziku që disa prej tyre të janë bartës të
virusit covid-19, edhe atëherë duhet të formohen safët, por me rastin e
plotësimit të tyre, xhematlinjt duhet t’i përmbahen distancës fizike të
përcaktuar, do të thotë, duhet të jenë të larguar nga njëri-tjetri, siç e
kërkojnë rregullat e mbajtjes së distancës fizike.

Formimi dhe plotësimi i
safëve (rreshtave) në xhemat është sunet dhe duhet të zbatohet, mirëpo, nëse e
kërkojnë rrethanat ky rregull mund të devijohet pjesërisht nga mënyra e
zakonshme e plotësimit së safëve, duke respektuar rregullin e fikhut: “Ajo
që nuk mund të realizohet plotësisht, nuk duhet të lihet plotësisht.”

Allahu i Plotfuqishëm, thotë:
“Druajuni Allahut sa të keni mundësi!” (et-Tegabun, 16)

Sipas këtij ajetit kuranor
dhe rregullit të fikhut, nëse për shkaqe parandaluese namazfalësit nuk mund të
qëndrojë pranë njëri-tjetrit, është më mirë në këto rrethana të formojnë safë,
me distancë fizike, sesa plotësisht të injorohet rregulli për formimin e safëve.
Në këtë mënyrë, ne e zbatojmë rregullin për aq sa jemi në gjendje në rrethanat
ekzistuese, dhe në të njëjtën kohë, iu përmbahemi masave parandaluese, të cilat
synojnë mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së njerëzve.

Muftiu i Sarajevës, Dr. Enes Ljevakoviç

Fetve-i emini i Akademisë për Fetva pranë BI të Bosnjës

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)