Fetarët, dijetarët dhe pasanikët e korruptuar

fetaret,-dijetaret-dhe-pasaniket-e-korruptuar

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të të gjitha botëve. Dërgojmë salavat dhe selam mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, Muhamedin (savs), mbi shokët e tij, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë ata që kanë jetuar dhe kanë vdekur me besim në zemër.

Vëllezër të respektuar!

Në hutben e sotme do të flasim në temën: “Fetarët e korruptuar, dijetarët e korruptuar
dhe pasanikët e korruptuar”

Allahu i Plotfuqishëm, në ajetin 34, të sures et-Tevbe, duke iu drejtuar besimtarëve, thotë:

أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِنَّ كَثِيرًا مِّنَ الْأَحْبَارِ وَالرُّهْبَانِ لَيَأْكُلُونَ أَمْوَالَ النَّاسِ بِالْبَاطِلِ وَيَصُدُّونَ عَن سَبِيلِ اللَّهِ ۗ وَالَّذِينَ يَكْنِزُونَ الذَّهَبَ وَالْفِضَّةَ وَلَا يُنفِقُونَهَا فِي سَبِيلِ اللَّهِ فَبَشِّرْهُم بِعَذَابٍ أَلِيمٍ

“O besimtarë! Vërtet një shumicë e parisë fetare e jehudive dhe e të krishterëve, në mënyrë të paligjshme e hanë pasurinë e njerëzve dhe zmbrapsin njerëzit nga rruga e Allahut. Ata të cilët e grumbullojnë arin e argjendin e nuk e shpenzojnë në rrugën e Allahut, lajmëroji për një dënim të dhëmbshëm.” (et-Tevbe, 34)

Duke e komentuar këtë thirrje kuranore për besimtarët, Ibn Kethiri thotë se ky ajet flet për tre lloje njerëzish, njerëz udhëheqës, prej të cilëve duhet të ruhemi, e ata janë: (1) Fetarët e korruptuar, (2) dijetarët e korruptuar, dhe (3) pasanikët e korruptuar.

1. Fetarët e korruptuar

Llukmani i mençur i ka thënë djalit të tij: “O biri im, ki kujdes nga një cilësi, prej të cilës duhet shumë të ruhemi!”Djali e pyeti: “Cila është ajo cilësi, o baba?” Llukmani i mençur i tha: “Ruhu që njerëzit të mos konsiderojnë ty njeri të devotshëm e që ke frikë nga Allahu, ndërsa zemra jote të jetë eprishur dhe e pamoralshme.”

Transmetohet nga Fudajl bin Ijadi, se ka thënë: “Unë më shumë preferoj të shoqërohem me një mëkatar që ka moral të mirë, sesa me një person fetar që ka moral të keq. Mëkatari që është me moral të mirë, është i preferuar në mesin e njerëzve, kurse fetari që është me moral të keq, është i padëshirueshëm për njerëzit dhe ata nuk e duan atë.”

Vëllezër të dashur!

Ne po jetojmë në një kohë, kur ka shumë fetarë të tillë të prishur. Gojët e tyre janë plot me Allah, fe, xhami… por nga ana tjetër ata gënjejnë, përgojojnë, mashtrojnë, fyejnë, shqetësojnë,e të ngjashme. Le të ruhemi nga njerëzit e tillë, dhe të kemi kujdes, që mos të bëhemi edhe ne njerëz të tillë.

2. Dijetarët e korruptuar

Dijetar i korruptuar është një dijetar i cili e mëson diturinë për kënaqësitë e kësaj bote dhe për arritjen e famës dhe pozitës. Pejgamberi (savs), ka thënë: “Kush e mëson diturinë nga e cila fitohet kënaqësia e Allahut, por me qëllim të përfitimeve të kësaj bote, ai nuk do ta nuhasë aromën e xhenetit.”

Pejgamberi (savs), gjithashtu, ka thënë:“Njerëzit më të këqij (të umetit tim) janë dijetarët e korruptuar.”

Ibn Kajjimi (r.h.), ka thënë: “Dijetarët e korruptuar ulen në dyert e xhenetit dhe me fjalët e tyre i thërrasin njerëzit për xhenet, kurse me veprat e tyre i thërrasin ata për xhehenem. Sa herë që ata e shqiptojnë thirrjen për xhenet, veprat e tyre bërtasin: ‘Mos i dëgjoni ata! Nëse do të ishte e vërtetë ajo që ju thërrasin, ata vetë të parët do të përgjigjeshin! Ata shfaqen në formë të udhëzuesit, kurse në fakt, ata janë grabitës rrugësh.”

Pejgamberi (savs), ka thënë: “Para Ditës së Gjykimit, do të shfaqen njerëz, të cilët fenë do ta përdorin për përfitime të kësaj bote. Me bukurinë e tyre, ata do të shfaqen para njerëzve me lëkurë të qengjit, gjuha e tyre do të jetë më e ëmbël se sheqeri, por zemrën do ta kenë të ujkut.”

Disa dijetarë kanë thënë: “Në momentin e vdekjes, më së shumti do të pendohet dijetari, i cili ka abuzuar me diturinë e tij.”

Përshkrimin e atyre që abuzojnë me diturinë, na e kanë dhënë Ka’bi dhe Jahja bin Muadhi, në transmetimet e tyre, në të cilat thuhet: “Në kohën e fundit, të do të ketë dijetarë që do t’i udhëzojnë njerëzit për moderim dhe modesti, por ata vetë nuk do të jenë të tillë, ata do të thërrasin për devotshmëri, por vetë nuk do të jenë të devotshëm, ata do të ndalojnë nënshtrimin dhe servilizmin ndaj pushtetarëve, por ata vetë do t’i vizitojnë dhe do tu nënshtrohen atyre. Do t’i japin përparësi dynjasë mbi ahiretin, do të bëjnë shpifje për njëri-tjetrin, do t’i sjellin të pasurit afër vetes, do të bëjnë xhelozi për diturinë e tjetrit, ashtu siç janë xheloze gratë ndaj burrave, do të zemërohen me miqtë e tyre nëse ata shoqërohet me dikë tjetër. Ata janë arrogantë dhe mendjemëdhenj, ata janë armiq të Mëshiruesit.”

“O dijetarë, pallatet i keni si pallate perandorake, shtëpitë i keni si shtëpitë e sundimtarëve persianë, kalorësit i keni si të Karunit, enët i keni si të Faraonit, veprimet tuaja janë të xhahilijetit, drejtimi që ndiqni është i shejtanit! Pra ku është këtu sheriati Islamik?!

Le të ruhemi, vëllezër, nga dijetarët e korruptuar, dhe të përpiqemi të mos bëhemi edhe ne njerëz të tillë.

3. Pasanikët e korruptuar

Transmeton Ibn Ebi Hatimi nga Ibn Abasi (r.a.), se ka thënë: “Pasi që u shpall ky ajet:“E, ata që e grumbullojnë arin dhe argjendin dhe nuk e shpenzojnë në rrugën e Allahut…”,kjo myslimanëve iu duk shumë e vështirë, andaj ata thanë:“Askush nga ju nuk mund t’i sigurojë fëmijës tij pasuri, që t’i mbetët pas tij.” Omeri (r.a.), tha: “Unë do t’ua heq këtë dilemë!”Ai doli, kurse Thevbani e ndiqte nga pas, derisa shkuan te Pejgamberi (savs), dhe i tha atij: “O i Dërguari i Allahut, me të vërtetë ky ajet po ju duket shumë i rëndë shokëve të tu!”Dhe Pejgamberi (savs), i tha: “Me të vërtetë, Allahu i Lartësuar e ka përcaktuar zekatin për ta pastruar pasurinë tuaj, dhe me të vërtetë, Ai e ka përcaktuar trashëgiminë në pasurinë që mbetet pas jush.” Omeri tha: Allahu është më i madhi! (Allahu ekber!). Pastaj Pejgamberi (savs), i tha: “A dëshironi të ju informoj për thesarin më të mirë që grumbullon njeriu? Tha: Gruaja e bukur, e cila burrin e bën të lumtur kur e shikon, e cila i bindet atij – kur e urdhëron, dhe e cila, kur ai është larg saj, ajo besnike atij i qëndron.”

Shkurtimisht, Islami nuk na ndalon të jemi të pasur, aq më shumë na inkurajon ta bëjmë këtë, por me kusht që të japim me rregull zekatin në atë pasuri, që ta fitojmë në mënyrë hallall, që të mos bëhemi robër të pasurisë, pastaj, që ta investojmë në qëllime fisnike, etj. Ata që nuk i plotësojnë këto kushte, atyre ju referohet ajeti i cituar më parë,pasanikëve të korruptuar.

Dhe me të vërtetë njerëzit varen nga këto tri lloje njerëzish, nga fetarët, dijetarët dhe pasanikët. Kështu që, nëse ata janë të korruptuar, do të jenë të korruptuar edhe njerëzit e tjerë, por nëse ata janë të drejtë, atëherë edhe njerëzit e tjerë do të jenë të drejtë.

Transmetohet se Aliu (r.a.), kur ishte pyetur për shkaqet e korruptimit të njerëzve, ai ishte përgjigjur kështu: “Është e pashmangshme prishja e shoqërisë kur janë të korruptuar njerëzit udhëheqës të tyre. Dhe njerëzit udhëheqës në një shoqëri janë katër kategori: (1) Dijetarët, të cilët duhet të tregojnë rrugën për tek Allahu, (2) fetarët,të cilët janë rruga praktike drejt Allahut, (3) tregtarët, të cilët janë të besuarit e Allahut, dhe (4) ushtria e cila e ruan sigurinë dhe e ndihmon fenë e Allahut. Këtu hyjnë sundimtarët që i ruajnë dhe mbrojnë interesat e krijesave të Allahut. Kur dijetari bëhet lakmitar dhe grumbullues i pasurisë, atëherë kush do ta tregojë rrugën për tek Allahu?! Kur njeriut fetar i ndizen dëshirat e dynjasë dhe fillon të dëshirojë atë që kanë të tjerët, atëherë kënd do ta shikojnë njerëzit, kend do ta marrin si model?! Kur tregtari fillon të mashtrojë dhe ta mohojë zekatin, atëherë kujt do t’i besojnë njerëzit?! Kur ushtari të bëhet hipokrit dhe fillon të vrapojë pas plaçkës, atëherë kush do t’i mbrojë njerëzit?! Kur sundimtari fillon të bëjë zullum dhe të përhapë padrejtësi, atëherë kush do ta ndihmojë të shtypurin dhe do ta zbusë zullumqarin?!Pasha Allahun, askush nuk mund ta shkatërrojë shoqërinë më shumë se dijetarët lakmitarë, fetarët epshorë, tregtarët e korruptuar, ushtarët hipokritë dhe sunduesit e padrejtë!“Dhe do të shohin zullumqarët se çfarë do të jetë fundi i tyre!”

I lutemi Allahut të Plotfuqishmin, që këshillat e sotme të jenë të dobishme për ne dhe të na ruajë nga zjarri i xhehenemit.

O Zoti ynë, na ndihmo në rrugë të mbarë. Largoje të keqen nga ne, dhe bëje që veprat tona më të mira, të jenë veprat e fundit në këtë botë!

O Zot, ndihmoju të rrezikuarve që t’i realizojnë të drejtat e tyre!

O Zot, çliroje umetin nga pandemia, nga okupatori dhe nga sundimtarët e dhunshëm!

O Zot, mos na sprovo neve me atë që nuk mund ta përballojmë!

O Zot, mos lejo asnjëherë që të na poshtërojnë dhe mposhtin pabesimtarët.

O Zot, bëje që dita jonë më e lumtur të jetë dita e takimit me Ty! Dhe, me mëshirën Tënde na vendos në xhenetin e përjetshëm! Amin! 

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)