Familja është thesari ynë më i madh i kësaj bote

familja-eshte-thesari-yne-me-i-madh-i-kesaj-bote

Nëna –Është dhurata hyjnore më e nderuar për ata që kanë frikë nga Zoti, nën këmbët e saj është vendbanimi i xhenetit, lutja e saj për ty është thesar i pashtershëm, kurse kënaqësia e saj me ty është lumturia e përhershme. Gjumi pranë këmbëve të saj është rahati për shpirtin, kurse bindja dhe bamirësia ndaj saj është kurorë në kokën tënde. Ajo është mirësia më e madhe dhe dhurata më e mirë, sepse është një nga portat e xhenetit.

Babai – Ai është baza nga e cila je krijuar, kënaqësia dhe dhënia e tij është qetësi, bindja dhe bamirësia ndaj tij është lumturi, kënaqësi dhe rahati për shpirtin, kurse mosbindja ndaj tij është shkatërrim dhe fatkeqësi. Ai është një nga portat e kënaqësisë së Allahut.

Burri –Është muri mbrojtës i shtëpisë, fortesa e afërsisë dhe harmonisë dhe lumi i dashurisë. Prania e tij do të thotë lumturi, kurse mungesa sjell pikëllim dhe dhimbje. Prej tij fitohen dhe rrjedhin qetësia dhe krenaria, kur ai është i pranishëm shtëpia është e plotë dhe e furnizuar, ndërsa kur ai nuk është, ajo bëhet gërmadhë.

Gruaja – Është strehë e sigurt dhe lumturi që të vërshon dhe të mbush, është rroba që të mbulon dhe mbron, është fole e ngrohtë që të mbron dhe është aroma më e bukur. Kur e shikon, zhduken vështirësitë dhe lodhja, kurse afërsia e saj sjell lumturi dhe gëzim. Ajo është e cila thotë: “Kjo është për ty”, para se të thotë: “Kjo është për mua.”

Vajza –Është perdja jote nga zjarri i xhehenemit nëse e edukon mirë, ajo të fiton me emocionet dhe afërsinë e saj, ajo më mirë se djemtë tu e ndjen dhe përjeton hidhërimin dhe vuajtjen tënde, dhe ajo di më së miri të ju ngushëllojë. Ai të cilit Allahu nuk i ka dhuruar vajzë(a), ai nuk e di se çka është ëmbëlsia e vërtetë e jetës së kësaj bote, dhe nuk e di se çka është dhembshuria dhe butësia e vërtetë.

Djali –Është imazhi dhe mundësia jote, gëzimi yt derisa është fëmijë dhe krenaria jote kur të rritet. Ai është mbështetja jote kur të plakesh dhe kur të përkulet shpina, si dhe ndihma jote kur të hasesh në telashe.

Motra –Është roje e sekreteve tua dhe shërim për brengat dhe pikëllimin tënd, ajo është zëri i sigurisë, ngushëllimit dhe dashurisë së sinqertë, ajo në çdo situatë është e gatshme të sakrifikojë për ty, ajo është në vend të nënës, kur të humbësh nënën tënde. Mbajtja dhe ruajtja e lidhjeve familjare me motrën është fitimi më i madh.

Vëllai –Është hija në të cilën strehohesh në zhegun më të madh të nxehtësisë, nga të gjithë miqtë që ke, ai është më i afërti, ai është shoku yt i ngushtë në fëmijëri, kurse mbështetja dhe mbrojtja kur të rritesh.

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)