Falja është një nga mënyrat më të lehta për ta fituar mëshirën e Allahut

falja-eshte-nje-nga-menyrat-me-te-lehta-per-ta-fituar-meshiren-e-allahut

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të të gjitha botëve. Dërgojmë salavat dhe selam mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, Muhamedin (savs), mbi shokët e tij, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë ata që kanë jetuar dhe kanë vdekur me besim në zemër.

Vëllezër besimtarë!

Tema e hutbes së sotme është: Falja është një nga mënyrat më të lehta për ta fituar mëshirën e Allahut

Allahu i Plotfuqishëm, në Kuranin famëlartë, surja Alu Imran, ajeti 134, thotë:

“Të cilët japin sadakë kur janë në lumturi edhe kur janë në vështirësi, që e fshehin zemërimin, e ua falin fajet njerëzve. Se Allahu i donë bamirësit.”[1])

Sa herë ta lexojmë këtë ajet, gjithmonë duhet të mendojmë se si është ndierë Pejgamberi (savs), kur ua ka falur njerëzve dhe i ka bashkuar kur ishte në Mekë. Për më shumë se një dekadë persekutimi, tradhtie dhe armiqësie të hapur ndaj tij, ndaj Islamit dhe sahabëve, ai fali të gjitha këto, me çka e dëshmoi personalitetin e tij të lartë. Falja nuk është detyrë e lehtë për njerëzit. Shumë njerëz e kanë të vështirë që të falin kur ju bëhet padrejtësi atyre, sepse ajo është e lidhur shumë ngushtë me ndjenjën e dhembjes.

Kur veprimet e një personi kanë ndikim negativ mbi ne, natyrisht, ne do ta ndiejmë dhimbjen dhe do të zemërohemi ndaj atij personi. Megjithatë, si qenie njerëzore, edhe vetë bëjmë gabime, dhe gati është e pamundur të kalojmë nëpër jetë pa e dëmtuar dikë. Kështu që, ajo që i lehtëson situatat e tilla është kërkimi i faljes nga ata të cilëve ju kemi shkaktuar dhimbje.

Kurani, hadithi dhe biografitë e sahabëve na tregojnë për faljen si cilësi e muslimanit të mirë. Në tregimin për pejgamberin Jusuf (a.s.), ekziston një mësim shumë i mirë për rëndësinë e faljes së njerëzve të tjerë. Vëllezërit e tij ishin xhelozë për dashurinë,që i ati i tyre e kishte treguar ndaj Jusufit, dhe për këtë arsye, ata kishin planifikuar ta vrisnin. Ata e hodhën Jusufin (a.s.), në pus, ku më vonë u gjet dhe u shit si rob. Ata u kthyen në shtëpi dhe e gënjyen babanë e tyre se Jusufin e ka ngrënë ujku.

Premtimi i Allahut të Plotfuqishëm e ngriti Jusufin mbi fatkeqësitë e tij, dhe ai u bë njeri i pasur, tek i cili vëllezërit e tij më vonë erdhën për të kërkuar ndihmë. Kur zbuluan se ky njeri i pasur, në fakt, ishte vëllai i tyre, ata i kërkuan falje. Jusufi (a.s.), i fali vëllezërit e tij. Mësimi i këtij tregimi qëndron në dobinë e faljes së njerëzve të tjerë. Gjithashtu, falja na bën njerëz më të mirë dhe bën që i gjithë umeti të jetë i bashkuar.

1. Falja na çliron nga ngarkesa. Edhe pse personi që na ka bërë padrejtësi është i ngarkuar me faj, ne gjithashtu jemi të ngarkuar me peshën e zemërimit që kemi ndaj tij. Falja e atyre që na kanë lënduar, do të thotë, ta çlirojmë mendjen tonë nga ai problem dhe t’ia lëmë së kaluarës dhe harresës. Kur kjo ndodh, zemra bëhet më e lehtë dhe pa brenga.

2. Falja na bën që të na duan njerëzit rreth nesh. Kushdo që ka famën e një personi që nuk falë lehtë, ai nuk ju pëlqen njerëzve të tjerë. Për këtë shkak, njerëzit zakonisht qëndrojnë larg një personi të tillë, sepse nuk duan që ta lëndojnë rastësisht. Nga ana tjetër, dikush që falë lehtë, ai përhap mirësi rreth tij.

3. Falja promovon marrëdhënie të mira njerëzore. Qëndrimi ynë ndaj kujtdo që na ka ofenduar flet shumë për neve. A mbajmë inat për një kohë të gjatë, nëse kemi qenë të lënduar, apo nisemi për hakmarrje dhe ia marrim hakun atij personi? Kur jemi të prirur për falje dhe pajtim, njerëzit do të ndihen rehat në shoqërinë tonë, do të zhvillojnë marrëdhënie miqësore me ne, dhe do të dëshirojnë të jenë afër nesh.

4. Falja i forcon lidhjet familjare. Duke e shikuar tregimin e pejgamberit Jusuf (a.s.),vërejmë se dobia e faljes në marrëdhëniet familjare është shumë e dukshme. Nëse do të ishte i zemëruar dhe i vendosur të hakmerrej me të njëjtën masë, ai do t’i vriste ose do t’i shiste si robër vëllezërit e tij. Ai kishte fuqinë për ta bërë këtë, por kjo nuk do ta fshinte atë që ata kishin bërë. Me falje, pejgamberi Jusuf e bashkoi familjen e tij me ndjenjën e dashurisë dhe vëllazërisë. Mungesa e faljes sjell atmosferë të keqe mes njerëzve, dhe i vret të gjitha lidhjet dhe marrëdhëniet.

5. Me falje ne fitojmë shpërblim tek Allahu i Plotfuqishëm. Allahu i do ata që bëjnë mirë. Pejgamberi (savs), na kujton dashurinë e Allahut për të gjithë ata që i falin njerëzit e tjerë. Vetëm kjo duhet të jetë motivim i mjaftueshëm për ne, që të nxitojmë me faljen e atyre që na kanë lënduar.

Falja është e rëndësishme në marrëdhëniet tona personale dhe shoqërore, sepse kjo është cilësi, e cila na mundëson që të jetojmë në harmoni, dashuri dhe mirësi me të tjerët.

Allahu na bëftë prej atyre që i falim të tjerët dhe kështu ta fitojmë kënaqësinë e Tij.

I lutemi Allahut të Plotfuqishëm që të na ndihmojë e të na mbrojë nga cilësitë e këqija e të dëmshme.

I lutemi Allahut të Madhërishëm, që të na forcojë në rrugën e Islamit!

O Allah, na ndihmo që ta ruajmë dritën e Islamit!

O Allah, mos na sprovo me dhunën e sundimtarëve zullumqarë!

O Allah, mos na sprovo me atë që nuk mund ta përballojmë!

O Allah, na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe të na vendosë në xhenet në shoqëri me pejgamberë, me dëshmorë dhe me njerëz të mirë. Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)


[1])الَّذِينَ يُنفِقُونَ فِي السَّرَّاءِ وَالضَّرَّاءِ وَالْكَاظِمِينَ الْغَيْظَ وَالْعَافِينَ عَنِ النَّاسِ وَاللَّـهُ يُحِبُّ الْمُحْسِنِينَ ﴿١٣٤﴾