Evropa duhet ta njohë dhe t’i kundërvihet kërcënimit që paraqet Kina për botën

evropa-duhet-ta-njohe-dhe-t’i-kundervihet-kercenimit-qe-paraqet-kina-per-boten

Në garën e saj me Kinën, Amerika ka një problem gjeografik:blloku i saj më i fuqishëm i aleatëve, vendet e NATO-s, janë në anën tjetër të botës. Kjo ka çuar në një lloj “ngathtësie transatlantike” në marrëdhëniet me Kinën, dhe po shkakton debate se si vendet evropiane mund të mbrojnë më mirë ekuilibrin e fuqive në rajonin e Indo-Paqësorit.

Çështja më e ndërlikuar, është se reagimi ushtarakisht nuk është ai i duhuri. Aleatët e Amerikës në NATO, nuk mund ta shpëtojnë ushtarakisht Indo-Paqësorin. Por ata mund të bëjnë diçka më të rëndësishme:ta ndihmojnë Uashingtonin ta shndërrojë një konfrontim dypalësh me Kinën në një përballje shumëpalëshe.

Edhe pse rivaliteti SHBA-Kinë, është i përqendruar në rajonin e Indo-Paqësorit, Evropa do të luajë një rol vendimtar. Anëtarët evropianë të NATO-s, përfaqësojnë ende përqendrimin më të madh në botë të demokracive të përparuara dhe një grup më të fortë ekonomikisht dhe ushtarakisht të aleatëve të SHBA-së.

Por për shkak se shumica e vendeve evropiane gjenden kaq larg nga vija e frontit, ato kanë qenë relativisht të ngadalta për t’u aktivizuar kundër kërcënimit kinez. Kjo asimetri, ka prodhuar disa divergjenca të dukshme, sinë rastin kur Bashkimi Evropian arriti një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse për Investimet me Pekinin, pikërisht në kohën kur presidenti i ri amerikan Joe Biden po merrte detyrën.

Fatmirësisht, politikat evropiane duket se po drejtohen në drejtimin e duhur, ndonëse gradualisht, megjithëse retorika e liderëve të tillë si Angela Merkel dhe Emmanuel Macron është e paqartë. Që nga fillimi i vitit 2020, disa vende evropiane e kanë bërë më të vështirë për kompaninë kineze Huawei që të ndërtojë rrjetin e saj 5G.

BE vendosi në fillim të këtij viti sanksione ndaj Pekinin për mizoritë e tij në Xinjiang, duke provokuar një kundërpërgjigje të furishme kineze,e cila e ka vënë në rrezik marrëveshjen e fundit mes tyre. Ndoshta më interesantja është se disa aleatë të rëndësishëm të SHBA-së po tregojnë më shumë interes për mbrojtjen e Indo-Paqësorit.

Franca mori së fundmi pjesë në stërvitjet detare me QUAD –në Amerikë, Australi, Indi dhe Japoni -dhe në Gjirin e Bengalit. Një Task-Forcë Britanike e Avionëve, do të vendoset në Indo-Paqësor muajin e ardhshëm. Parisi dhe Londra kanë dërguar anije detare në Detin e Kinës Jugore.

Vende të tjera, përfshirë Gjermaninë, po përpilojnë strategji për ruajtjen e stabilitetit në Indo-Paqësor. Ka edhe diskutime mbi atë se si ushtarakët evropianë mund të ndihmojnë në mbrojtjen e Tajvanit nga një sulm kinez. Megjithatë, jo të gjithë analistët amerikanë të mbrojtjes janë të kënaqur me këtë aktivitet.

Ka dy pikëpamje të kundërta se çfarë roli duhet të luajë Evropa në rivalitetin kino-amerikan. Një pikëpamje është se Uashingtoni duhet ta inkurajojë këtë globalizim të interesave evropiane të mbrojtjes. Është e vërtetë:në një krizë, edhe aleatët e fuqishëm të NATO-s -pra Franca dhe Britania e Madhe – nuk mund të japin kontribute vendimtare për të mbrojtur Tajvanin.

Por përmes angazhimit në kohë paqeje, ata mund ta bëjnë të qartë se ekziston një interes global për të ruajtur një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur, dhe për t’i mbrojtur shtetet që janë më të prekshme nga agresioni. Dhe ata mund të kontribuojnë qoftë me nëndetëse sulmuese apo anije të tjera detare, në përgjigjen kolektive që mund të ketë Amerika në një konflikt të mundshëm.

Në këtë mënyrë, ata do të zgjeronin koalicionin e shteteve me të cilat Pekini duhet të jetë agresiv për të rishikuar status quo-në në Indo-Paqësor, duke rritur kësisoj kostot strategjike të agresionit për Kinën. Pikëpamja e dytë është se Amerika, duhet t’i japë përparësi një rajonalizimi më të rreptë të mbrojtjes evropiane.

Këta analistë argumentojnë se kërcënimi më i rëndë ndaj aftësisë së Amerikës për të luftuar dhe fituar në Indo-Paqësor, është këmbëngulja mbi angazhimet e mbrojtjes diku tjetër. Pra, në vend se t`u kërkojë qeverive evropiane që të projektojnë fuqi ushtarake relativisht të kufizuar në oqeane të largëta, Uashingtoni duhet t’i bindë ata të mbajnë më shumë nga barra e mbrojtjes në Evropë dhe rajone të tjera më afër kontinentit, si Afrika dhe Lindja e Mesme.

Në rast se NATO bën më shumë për të adresuar kërcënimet e nivelit të dytë të tilla si Rusia dhe terrorizmi ndërkombëtar, atëherë SHBA-ja mund të përqendrohet plotësisht ndaj Kinës.

Në aspektin ushtarak, qasja e dytë është më efikase. Një paund më tepër në shpenzimet ushtarake në Mbretërinë e Bashkuar, do të blejë më shumë aftësi në Atlantikun e Veriut apo Baltik sesa në Indo-Paqësor. Aleatët evropianë, duhet të bëjnë më shumë për të mbështetur krahun lindor të NATO-s.

Dhe ideja e promovimit të efikasitetit maksimal në kohën që mbrohen Amerika nga tërheqjet e saj ushtarake, është shumë tërheqëse. Por llogaritja e përdorimit të aftësive evropiane të mbrojtjes nuk është aq e thjeshtë sa mund të duket në pamje të parë.

Nëse SHBA-ja bën më pak në Evropë dhe Lindjen e Mesme, evropianët mund të mos bëjnë më shumë. Kur Amerika njoftoi se do të largohet nga Afganistani brenda disa muajsh, po kështu bënë edhe aleatët e saj në NATO. Nëse Uashingtoni angazhohet më pak në Evropë, rezultati mund të jetë një NATO e fragmentuar, e cila do ta kishte shumë të vështirë të përballonte kërcënimin rus.

Kjo qasje e rajonalizuar, përfshin gjithashtu një qëndrim të çuditshëm paternalist ndaj aleatëve nga ana e Amerikës. Presidentët e të dyja palëve kanë shpenzuar vite duke u përpjekur që të bindin aleatët e NATO-s që ta marrin më seriozisht sfidën e Kinës.

Do të ishte vërtet e çuditshme nëse, sapo evropianët të fillonin të lëviznin në drejtimin e duhur, Amerika do t’i udhëzonte që interesat e tyre “reale” të ishin rajonale, dhe jo globale. Në fakt, kjo do të prodhonte efektin e kundërt. Shtetet e Bashkuara mund ta fitojnë garën kundër Pekinit vetëm duke e bërë atë më shumëpalëshe, pra duke grumbulluar një koalicion të madh vendesh kundër fuqisë kineze dhe politikave që kërcënojnë një rend ndërkombëtar të dobishëm.

Nëse Uashingtoni do të promovonte idenë se Kina është problemi i Amerikës, dhe interesat e Evropës qëndrojnë diku tjetër, kjo do të ishte në favor të narrativës së preferuar të Kinës, sipas së cilës Uashingtoni thjesht po kërkon që ta mbajë Pekinin të gjunjëzuar. Ndërsa po rritet rreziku i luftës në Paqësorin Perëndimor, sfida e Amerikës është ta bëjë koston e agresionit sa më frenuese ​​për Pekinin. Kjo kërkon që Evropa të ketë horizonte globale të mbrojtjes, dhe të mos përqendrohet vetëm në oborrin e vet. /abcnews

Hal Brands, Bloomberg

The post Evropa duhet ta njohë dhe t’i kundërvihet kërcënimit që paraqet Kina për botën appeared first on Mesazhi.com.