Erdoğan: Dërguam ndihma në 157 vende të botës dhe treguam bujarinë e popullit turk

erdogan:-derguam-ndihma-ne-157-vende-te-botes-dhe-treguam-bujarine-e-popullit-turk

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi se vendi po zhvillon një luftë të vendosur kundër pandemisë së koronavirusit (COVID-19), ndërsa me këtë rast po u ndihmon edhe vendeve të tjera në botë, raporton Anadolu Agency (AA).

 

 

“Do të vazhdojmë luftën tonë kundër pandemisë, duke respektuar të gjitha masat e nevojshme. Ne gjithashtu kemi dërguar ndihma në 157 vende dhe 12 organizata ndërkombëtare deri më tani, duke treguar bujarinë e Turqisë dhe popullit turk në gjithë botën”, tha Erdoğan gjatë një takimi me përfaqësuesit e Unionit të Demokratëve Ndërkombëtarë (UID) në rezidencën presidenciale në Stamboll.

Ai theksoi se Turqia po lufton fuqishëm dhe në mënyrë efektive kundër koronavirusit dhe se do të jetë edhe më e fortë pas pandemisë.

“Besojmë se Turqia do të kapërcejë sfidat dhe vështirësitë e shkaktuara nga pandemia e koronavirusit dhe se me ndihmën e Zotit ajo do të dalë edhe më e fortë”, tha presidenti turk.

Erdoğan tha se përkundër të gjitha sfidave, Turqia shënoi rritje ekonomike prej 1,8 për qind në vitin 2020 ndërsa shumë ekonomi botërore pësuan humbje të mëdha dhe rënie në të njëjtën kohë.

“Unë besoj se duke vepruar gjatë vitit të fundit, ne kemi treguar qartë ndryshimin midis Turqisë së vjetër dhe asaj të re”, tha ai.

Ai theksoi se Turqia ka arritur suksese dhe arritje të shumta në shumë fusha gjatë dy dekadave të fundit.

“Së bashku me qytetarët tanë, gratë, të rinjtë, Turqia ka arritur rekorde dhe suksese të shumta gjatë 19 viteve të fundit”, nënvizoi presidenti Erdoğan.

Ai gjithashtu vuri në dukje se afër 6 milionë persona me origjinë turke jetojnë sot në gjithë Evropën.

“Dikur atje kishte vetëm punëtorë dhe tani ata janë të pranishëm në të gjitha sferat e shoqërisë, nga bota e biznesit, arsimi, akademia, te shoqëria civile dhe politika. Ne jemi krenarë kur shohim se turqit evropianë tani kontribuojnë edhe më shumë në politikë, kulturë, jetën ekonomike dhe shoqërore të vendeve në të cilat ata jetojnë”, tha Erdoğan, duke përmendur shembullin e drejtorit dhe bashkëthemeluesit të kompanisë së bioteknologjisë BioNTech prof. dr. Uğur Şahin dhe bashkëshortes së tij dr. Özlem Türeci, të cilët janë me origjinë nga Turqia.

“Suksesi i profesorëve tanë Uğur Şahin dhe Özlem Türeci në zhvillimin e vaksinës kundër COVID-19 ka treguar qartë se çfarë mund të bëjnë njerëzit tanë nëse u jepet mundësia dhe mbështetja. Shembuj të tillë të mirë gjithashtu u japin besim dhe guxim jo vetëm turqve evropianë, por edhe komuniteteve të tjera të emigrantëve”, tha ai.

Erdoğan komentoi mbi zhvillimet e fundit midis Ukrainës dhe Rusisë, duke vënë në dukje se Turqia po bën përpjekjet e nevojshme për të ndihmuar në qetësimin e tensioneve në atë rajon.

“Ne duam që Ukraina dhe Rusia të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre sa më shpejt të jetë e mundur përmes negociatave dhe në mënyrë paqësore për hir të paqes dhe sigurisë së gjithë rajonit tonë”, tha Erdoğan.

Ai po ashtu uroi muslimanët për ardhjen e Ramazanit, muajin e agjërimit.

“Shpreh dëshirën time që ky muaj i bekuar të jetë një muaj i mëshirës, bollëkut, paqes dhe prosperitetit për popullin tonë, botën islame dhe mbarë njerëzimin”, tha Erdoğan. /aa

The post Erdoğan: Dërguam ndihma në 157 vende të botës dhe treguam bujarinë e popullit turk appeared first on Mesazhi.com.