Ekspertët të shqetësuar nga variantet e reja të Covid-19, thonë se akoma nuk dihet rrezikshmëria e tyre

ekspertet-te-shqetesuar-nga-variantet-e-reja-te-covid-19,-thone-se-akoma-nuk-dihet-rrezikshmeria-e-tyre

Dy zyrtarë amerikanë thanë se nevojiten të dhëna shtesë për të vërtetuar nëse varianti është vërtetë më vdekjeprurës.

Zyrtarët janë të shqetësuar edhe nga një variant tjetër i koronavirusit, i shfaqur në Afrikën e Jugut, megjithëse nuk janë identifikuar raste të këtij varianti në Shtetet e Bashkuara.

Dr. Francis Collins, këshilltar i Presidentit Biden për koronavirusin, tha se të dhënat britanike janë paraprake dhe se nuk është e qartë nëse kërcënimi i variantit britanik vjen nga mutacionet në virus apo nga kushte specifike në sistemin shëndetësor britanik në këto momente.

Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit të Sëmundjeve Infektive tha në një intervistë me rrjetin MSNBC se pret të shohë të dhënat e papërpunuara britanike para se të diskutojë rrezikun e vdekshmërisë nga variant i ri dhe se zyrtarët amerikanë po analizojnë ndikimin që mund të kenë variantet e reja tek efektiviteti i vaksinës.

Këto komente vijnë ndërkohë që Presidenti Joe Biden ka marrë një numër masash për të fuqizuar përgjigjen ndaj pandemisë. Presidenti prezantoi planin e tij strategjik për të ulur ritmet e përhapjes së virusit si dhe nënshkroi një numër urdhërash ekzekutivë për të shtuar prodhimin dhe vaksinave dhe rritjen e imunizimeve si dhe për të shtuar përdorimin e maskave./VOA/