Ekspertët ndërkombëtarë, Philips dhe Serwer: Greqia me shumë gjasa do ta njohë pavarësinë e Kosovës

ekspertet-nderkombetare,-philips-dhe-serwer:-greqia-me-shume-gjasa-do-ta-njohe-pavaresine-e-kosoves

Ata thonë se duhet të pritur derisa të përfundojë procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që të shihet pozicioni i këtyre shteteve të BE-së.

Ekspertët e politikave ndërkombëtare, David Phillips dhe Daniel Serwer, thanë për Televizionin Dukagjini se nga pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovës, Greqia ka gjasa të ndryshojë qëndrim.

“Greqia ka shumë të ngjarë të njohë Kosovën. Muri i krijuar nga 5 shtetet mosnjohëse do të shembet së shpejti, pasi Greqia ose ndonjë vend tjetër të vendosë ta njohë Kosovën. Greqia propozoi në ‘Agjendën 2014’ për thellimin e integrimit Euro-Atlantik të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Megjithëse unë shpresoj që Greqia do të ndryshojë qasjen e saj ndaj Kosovës, ne nuk mund të injorojmë lidhjet e ngushta të saj me shtetin serb, këtë të fundit Greqia e mbështet fuqishëm që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”, tha Phillips.

Të njëjtin mendim me Phillips, e ndan edhe Profesori Daniel Serwer, por siç thotë ai, gjasat janë minimale që këto shtete ta ndryshojnë qëndrimin e tyre në raport me Kosovën.

“Në veçanti Greqia duket më e parashikueshme se të tjerat shtete. Sigurisht që çdo marrëveshje e statusit përfundimtar midis Beogradit dhe Prishtinës duhet të sjellë njohje nga pesë shtetet mosnjohëse. Por, unë nuk e shoh që kjo të ndodhë shpejt”, ka thënë Serwer.

Ndërsa, raportuesja për Kosovën në parlamentin evropian Viola Von Cramon, thotë se me bisedimet që ajo ka pasur me kolegët e saj nga pesë shtetet mosnjohëse, qëndrimi i tyre do të ndryshojë kur të përfundojë procesi i dialogut.

“Çdo lloj marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe detyruese midis Beogradit dhe Prishtinës do t’i bëjë ata të ndryshojnë. Sigurisht, unë do të doja të shihja qëndrimin e tyre duke ndryshuar edhe më herët por kjo është e vështirë të ndodhë. Nga ana tjetër, ekziston një ndryshim midis atyre vendeve, të cilët janë akoma në gjendje të bashkëpunojnë dhe të punojnë së bashku me Kosovën, dhe atyre vendeve, ku për shkak të arsyeve thjesht të brendshme e kanë të vështirë të punojnë së bashku me Kosovën”, tha Cramon.

Vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur janë Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.