Edhe Gërvalla i thotë disa fjalë për vaksinat: Mbron Vitinë, sulmon rëndë mediat

edhe-gervalla-i-thote-disa-fjale-per-vaksinat:-mbron-vitine,-sulmon-rende-mediat

Ajo ka thënë se nuk ka asgjë të vërtetë në akuzat që kanë rrjedhur sot nëpër media ndaj ministrit Vitia se ky i fundit nuk ka nënshkruar qëllimisht kontratën me Pfizer, shkruan lajmi.net.

“Ju siguroj që Qeveria e Republikës së Kosovës dhe mbi të gjitha Ministri i saj i Shëndetësisë Arben Vitia kanë ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm dhe kanë plotësuar të gjitha kushtet formale për të mos humbur as edhe një vaksinë të vetme për qytetarët e Republikës. Përkundrazi, të gjitha zvarritjet dhe pengesat e paraardhësve tanë të pakujdesshëm i kemi elemininuar dhe në këtë aspekt jemi në një hap me të gjithë fqinjtë tanë”, ka thënë Gërvalla duke folur për një konferencë me institucione të BE-së në të cilën ajo ka marrë pjesë.

Madje ka akuzuar mediat duke thënë se po manipulojnë me gjendjen e rëndë të pandemisë dhe frikën e qytetarëve.

Postimi i plotë:

Vaksinat dhe të pavërtetat rreth tyre

Absolutisht asgjë të vërtetë nuk ka në akuzat e sotme drejtuar ministrit Vitia, se gjoja nuk paska nënshkruar një kontratë të caktuar dhe në këtë mënyre paska rrezikuar ardhjen e një kontigjenti të caktuar vaksinash.

Sot, si Ministre e Punëve të Jashtme kam qenë pjesë e një konference me institucione të BE-së me ministrat e Ballkanit Perëndimor. Kemi biseduar vetëm rreth vaksinave. Përmbajtja e konferencës është konfidenciale dhe natyrisht që nuk do ta shkel konfidencialitetin e premtuar.

Ju siguroj që Qeveria e Republikës së Kosovës dhe mbi të gjitha Ministri i saj i Shëndetësisë Arben Vitia kanë ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm dhe kanë plotësuar të gjitha kushtet formale për të mos humbur as edhe një vaksinë të vetme për qytetarët e Republikës. Përkundrazi, të gjitha zvarritjet dhe pengesat e paraardhësve tanë të pakujdesshëm i kemi elemininuar dhe në këtë aspekt jemi në një hap me të gjithë fqinjtë tanë.

Informacionet e portaleve të ashtuquajtura “informative” janë duke manipuluar me gjendjen e rëndë të pandemisë dhe frikën e qytetarëve nga pasojat e sạj.

Më lejoni që me përgjegjësi të plotë t’ju siguroj, si e përfshirë në të gjitha proceset e sigurimit të vaksinave, që as edhe një rrjesht i vetëm nga publikimet e sotme nuk është i vërtetë. Ministria e Shëndetësisë nuk ka rrezikuar asnjë afat të vetëm dhe të gjithë së bashku do të shohim gjatë ditëve në vijim rezultatin e përpjekjeve kolosale për sigurimin e vaksinave për të gjithë qytetarët e Republikës. Spekulimet e përmendura janë thjesht të pavërteta.

Lus portalet e ndryshme që në vend të shpërndarjes së gënjeshtrave të heshtin kur nuk janë të gatshëm të ndihmojnë. I bëj thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që të kërkojë përgjegjësi ligjore nga të gjithë ata që me shpërndarjen e gënjeshtrave përpiqen të krijojnë panik të panevojshëm dhe të destabilizojnë vendin.

Së fundi, nga përvoja e fituar gjatë javëve të fundit, dëshiroj të falënderoj Ministrin Vitia dhe të gjithë e ekipin e Ministrisë së Shëndetësisë për angazhimin kolosal në përballimin e pandemisë dhe pasojave të saj. /Lajmi.net/