E quante mashtrues, Haradinaj shprehet i gatshëm për bashkëpunim me Kurtin

e-quante-mashtrues,-haradinaj-shprehet-i-gatshem-per-bashkepunim-me-kurtin

Ramush Haradinaj në fjalimet e tij nuk flet për qeverinë e re që do të jetë vendimi i parë i Parlamentit të ardhshëm, por vetëm për kreun e shtetit që gjithashtu do të zgjedhet nga Parlamenti i ri.

Haradinaj shprehet i hapur për të bashkëpunuar me Vetëvendosjen që shihet gjerësisht si fituese e zgjedhjeve.

“Kosova është në një krizë tani. Është një situatë jo e lehtë, kemi probleme ekonomike nga pandemia, situata me Serbinë dhe integrimi në arenën ndërkombëtare. Jam i bindur që mund ta ruaj unitetin dhe t’i shërbej vendit”.

Kreu i AAK-së tregoi në EuroNews se pse dëshiron ta marrë postin e presidentit.

“Ne jemi Republikë parlamentare, por presidenti mban përgjegjësi për sigurinë dhe trupat e armatosura, mbron Kushtetutën dhe zbatimin e saj. Për të gjitha këto përgjegjësi dhe nga fakti që kam qenë dy herë në krye të vendit jam i sigurt që mund të udhëheq vendin dhe të ndihmoj Kosovën”.

Haradianj shprehet se pret bashkëpunim nga të gjitha forcat pas zgjedhjeve.

“Ne nuk kemi vija të kuqe dhe presim çdo parti për koalicion pas zgjedhjeve. Nëse Vetëvendosja fiton zgjedhjet jemi të hapur për bashkëpunim me të”.

Pavarësisht bashkëpunimit që shpreh Haradinaj, Vetëvendosja ka si kandidate për postin e presidentes Vjosa Osmanin për çka Haradinaj mendon se kjo është një lëvizje pa ekuilibër.

“Është vështirë ta shpjegosh këtë situate, sepse Kushtetuta nuk lejon që presidenti të jetë pjesë e një partie. Duhet ekuilibër mes forcave politike dhe këtu ofrohemi ne për mbështetje”.