E akuzuan për ndërhyrje në drejtësi, Haxhiu u përgjigjet KGJK-së dhe KPK-së

e-akuzuan-per-nderhyrje-ne-drejtesi,-haxhiu-u-pergjigjet-kgjk-se-dhe-kpk-se

Haxhiu ka thënë se çështja e përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit dhe kryeprokurorëe të prokurorive tjera ka qenë një problem që ka ngritur shumë shqetësime sipas saj, shkruan lajmi.net.

“Për mua si Ministre e Drejtësisë janë të papranueshme akuzat e sistemit prokurorial kinse për ndërhyrje në drejtësi. Përpjekjet për instalimin e transparencës dhe meritokracisë nuk janë ndërhyrje. Ndërhyrje mund t’i duken vetëm atyre që janë të përfshirë në kalkulime”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo ka thënë se deklarimet e saja janë të qëndrueshme dhe në përputhje me kriteret kushtetuese që sipas saj koincidojnë në ndarjen e pushteteve.

Postimi i plotë i Haxhiut në Facebook:

Që nga dita e parë kam punuar me përkushtimin më të madh në drejtim të krijimit të kushteve më të mira përmes politikave adekuate për sistemin e drejtësisë.

Sistemi i drejtësisë vazhdon të ketë probleme të natyrave të ndryshme për çka jemi dëshmitarë të gjithë.

Çështja e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive dhe anëtarëve të KPK, gjithashtu ka qenë një problem tjetër për çka nuk kanë qenë vetëm shqetësimet tona të cilat i kemi bërë publike, por kanë qenë po ashtu reagimet e partnerëve ndërkombëtarë, të cilët kishin përcjellur shqetësimet serioze në këtë drejtim.

Për mua si Ministre e Drejtësisë janë të papranueshme akuzat e sistemit prokurorial kinse për ndërhyrje në drejtësi. Përpjekjet për instalimin e transparencës dhe meritokracisë nuk janë ndërhyrje. Ndërhyrje mund t’i duken vetëm atyre që janë të përfshirë në kalkulime.

Deklarimet e mia janë të qëndrueshme dhe në përputhje me kriteret kushtetuese e ligjore në kuptim të ndarjes së pushteteve dhe me qëllim të adresimit sa më adekuat të problemeve. Asnjëherë nuk do t’i mbyllë sytë kundrejt të njëjtave.

Si Ministre e Drejtësisë, do të vazhdoj tutje që me përkushtim të adresoj problemet e sistemit të drejtësisë brenda kompetencave të mia kushtetuese dhe ligjore, në kuptim të ndërtimit të një sistemi sa më profesional, të pavarur dhe efikas. Vetëm kështu mund të kthehet besimi i qytetarëve në institicionet e drejtësisë. Këtë e kemi obligim!. /Lajmi.net/