DnV-ja: Në tri ditët e para të fushatës s’janë respektuar masat anti-Covid dhe është përdorur gjuhë nxitëse

dnv-ja:-ne-tri-ditet-e-para-te-fushates-s’jane-respektuar-masat-anti-covid-dhe-eshte-perdorur-gjuhe-nxitese

Sipas saj në këto tubime s’janë respektuar masat anti-Covid.

Jeta Krasniqi nga DnV-ja në konferencën për medie ku ka prezantuar   të gjeturat nga monitorimi për tri ditët e para të fushatës zgjedhore të 14 shkurtit, ka thënë se subjektet politike kanë përdorur edhe gjuhë nxitëse.

“Nga takimet që monitoruesit kanë ndjekur kanë evidentuar që në pjesën dërmuese të aktiviteteve subjektet politike nuk u janë përmbajtur rekomandimeve të IKShPK-së. Nuk është përfillur distanca e as maskat”.

“Subjektet politike nuk po e respektojnë edhe ligjin për të paralajmëruar 24 orë më parë se cilat aktivitete do të mbahet në një komunë të caktuar. Takimet mbahen por s’paralajmërohen siç kërkon ligji.

DnV dënon ashpër papërgjegjësinë e subjekteve politike që përmes aktiviteteve të tyre pa përfillje të masave po rrezikojnë shëndetin e qytetarëve”.

“Subjektet politike veç që kanë folur për programin e tyre kanë folur edhe me gjuhë nxitëse për kundërshtarët e tyre.  Fokusi ka qenë në temat si zhvillimi ekonomik, bujqësia, shëndetësia e arsimi”, ka thënë Krasniqi, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka thënë se në këto tubime s’janë krijuar kushte për pjesëmarrje të personave me nevoja të veçanta, si dhe pjesëmarrje të ulët të grave.

“Kemi vënë re që në 35 përqind të aktiviteteve që kanë pasur personat me aftësi të veçanta nuk kanë pasur hapësirën e tyre. Kemi parë edhe pjesëmarrje të ulët të aktivitetit të grave. Në listat zgjedhore nuk u reflektua ligji për barazi. Hapësira që u ofrohet grave për tu drejtuar publikut është vetëm 23 përqind, është shprehur Krasniqi.

Sipas DnV-së, atmosfera në të cilat janë zhvilluar aktivitetet ka qenë e qetë.

DnV-ja ka kritikuar mediet për përfaqësim të ulët të grave në debatet zgjedhore ndërkaq ka bërë të ditur se Vetëvendosjes po i jepet më së shumti hapësirë.