Dita kur çdo njeri do të marrë librin e veprave të tij

dita-kur-cdo-njeri-do-te-marre-librin-e-veprave-te-tij

Dita kur çdo njeri do të marrë librin e veprave të tij, i cili ka përfshirë çdo mëkat të vogël dhe të madh

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të të gjitha botëve. Dërgojmë salavat dhe selam mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, Muhamedin (savs), mbi familjen e tij, mbi shokët e tij, dhe mbi të gjithë ata që kanë jetuar dhe kanë vdekur me besim në zemër.

Vëllezër besimtarë!

Tema e hutbes së sotme është: “Dita kur çdo njeri do të marrë librin e veprave të tij, i cili ka përfshirë çdo mëkat të vogël dhe të madh.”

Bazë të kësaj hutbeje, e kam marrë një tregim. Personazh i këtij tregimi është një musliman, i cili kishte shkuar nga Lindja e Mesme në Amerikë. Ai tregon:

}Derisa jetoja në Amerikë, në qytetin Nju Jork, më erdhi një letër ku thuhej se kisha bërë një shkelje të komunikacionit, do të thotë, se kisha kaluar nëpër dritë të kuqe në semafor filan ditën, në filan rrugën, në filan orën. Në letrën ose njoftimin për kundërvajtjen, ishin bërë edhe pyetjet e mëposhtme: A e pranoni këtë vepër? A keni ndonjë vërejtje? Gjoba për kundërvajtjen ishte rreth 150 dollarë.

Meqenëse nuk më kujtohej se kisha kaluar nëpër dritën e kuqe në semafor, si dhe unë nuk i di saktë emrat e rrugëve në Nju Jork, u përgjigja: “Po, kam një vërejtje. Unë nuk jam i sigurt se kam vozitur në rrugën e përmendur në letër, dhe nuk kam kaluar nëpër dritën e kuqe.”

Një javë më vonë, mora një letër me tri fotografi të makinës sime: Njëra para se të kaloja semaforin dhe sinjali në semafor ishte i kuq, e dyta që tregonte se kisha kaluar gjysmën e semaforit me makinë, dhe sinjali në semafor ishte i kuq, dhe, e treta pasi kisha kaluar semaforin një metër, sinjali ishte ende i kuq!

Pra, nuk ka shpëtim. Fotografitë janë dëshmia përfundimtare. E pagova gjobën prej 150 dollarësh, pasi e pranova veprën dhe heshta.

Dhe një ditë, derisa po lexoja suren el-Xhathije, m’u kujtua kjo kundërvajtja, kur arrita te fjalët e Allahut të Madhëruar:

“Ky është Libri Ynë që do t’ju tregojë të vërtetën. Na, me të vërtetë, i kemi urdhëruar (melekët) që t’i shkruajnë të gjitha ato që keni bërë.”(el-Xhathije, 29)

Në këtë ajet është përdorur termi “nestensihu’ –نستنسخ – i cili vjen nga folja neseha (نسخ) dhe do të thotë: transmetim, kopjim, transplantim, dhe sikur donë të thotë: “Ne kemi transmetuar dhe kopjuar autentikisht të gjitha veprat tuaja të shkruara nga melekët shkrues dhe i kemi ruajtur në një libër, të cilin që do ta merrni në Ditën e Gjykimit.”

Unë mbeta i shtangur tek pjesa e ajetit: “Na, me të vërtetë, i kemi urdhëruar (melekët) që t’i shkruajnë të gjitha ato që keni bërë.” – m’u dridh trupi dhe ndjeva frikën e Allahut.~ Mbaron tregimi.

O Zot, kjo kamerëqë është vepër e duarve të njeriut dhe përsëri nuk mund t’i shpëtosh. Atëherë, çka mendoni për “inqizimin“, skanimin dhe regjistrimin e veprave tona nga Zoti i njerëzve? Ku dhe si të shpëtohet?

Veprat tona regjistrohen në Librin e Atij, të Cilit asgjë nuk i fshihet dhe i Cili nuk harron, dhe ruhet në vend të sigurt. Nuk mund të dëmtohet nga faktorët klimatikë, si stuhia, era ose shiu, nuk mund të vidhet, as nuk mund të falsifikohet nga ndonjë veprim piratesk.

O Allah, të gjitha mëkatet e mia janë regjistruar, me data, me fakte, me bashkëpunëtorë, me vende, me kohë, me qëllime, me rrethana, me prapavijë dhe me motive.

Gjithçka është regjistruar dhe inçizuar, edhe në formë audio dhe në video.

Dhe qëllimet (nijeti), gjithashtu, regjistrohen, sepse Allahu i di shikimet e fshehura që shikojnë në haram, dhe e di edhe atë që fshehin zemrat. Kjo do të thotë, se Ai e di edhe atë që kamerat njerëzore nuk mund ta regjistrojnë.

E gjithë kjo do t’i ekspozohet dhe do t’i paraqitet njeriut në Ditën e Gjykimit, siç thotë Allahu i Plotfuqishëm:

“Dhe, do të sillet Libri (i punëve që kanë bërë), e do t’i shohësh mëkatarët se si tmerrohen nga ato që gjenden në të dhe thonë: “Të mjerët ne, çfarë është ky libër! Nuk po lënka as të voglën as të madhen (punë) pa e numëruar”. Dhe, do të gjejnë të shënuar atë që kanë punuar. Zoti yt, nuk i bënë askujt padrejtësi.” (el-Kehf, 49)

Dhe do të thuhet:“Lexoje librin tënd, mjafton që ti sot vetë për vetveten të japësh llogari!” (el-Isra ’, 14)

O Allah, falja Jote është shumë më e madhe se mëkatet tona, dhe mëshira Jote na jep shpresë më të madhe se veprat tona. Andaj, ki mëshirë për ne, na i fal mëkatet tona dhe mbuloje turpin tonë në Ditën e Gjykimit!

O Zoti ynë, na ndihmo në rrugë të mbarë. Largoje të keqen nga ne, dhe bëje që veprat tona më të mira, të jenë veprat e fundit në këtë botë!

O Zot, ndihmoju të rrezikuarve që t’i realizojnë të drejtat e tyre!

O Zot, çliroje umetin nga pandemia, nga okupatori dhe nga sundimtarët e dhunshëm!

O Zot, mos na sprovo neve me atë që nuk mund ta përballojmë!

O Zot, mos lejo asnjëherë që të na poshtërojnë ose mposhtin pabesimtarët.       

O Zot, bëje që dita jonë më e lumtur të jetë dita e takimit me Ty! Dhe, me mëshirën Tënde na vendos në xhenetin e përjetshëm! Amin! 

Përshtati: Miftar Ajdini