Deri në orën 15:00 kanë votuar rreth 27 për qind e qytetarëve

deri-ne-oren-15:00-kane-votuar-rreth-27-per-qind-e-qytetareve

Deri në orën 15:00 në zgjedhjet lokale në Kosovë kanë votuar 26.95% e qytetarëve me të drejtë vote, ka bërë të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kjo është një përqindje më e vogël krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017 kur deri në orën 15:00 kishin votuar 28.65% e votuesve.

Në mbledhjen e KQZ-së, kryetari Kreshnik Radoniqi ka thënë se votimi është duke u zhvilluar pa ndonjë problem

“Votimi është duke vijuar pa ndonjë problematikë, sipas të dhënave preliminare që kemi pranuar më shumë se 98% e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 15:00 është 26.95% apo 499 mijë e 828 votues nga 1 milion e 885 mijë e 448 votues. Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet lokale të vitit 2017 kishin votuar 541 mijë e 834 votues apo 28.65% e votuesve”, ka bërë të ditur kryetari i KQZ-së.

Ai është pyetur për disa incidente pro ka thënë që me raste të tilla mirret prokuroria dhe policia.

“Kemi të bëjmë me disa raportime që janë bërë por që ndoshta nuk e kanë ndonjë rëndësi për raportim por nëse insistoni, kemi pasur që nuk ka energji elektrike në një objekt shkollor, një votues është ankuar se në qendrën e votimit ka shkuar të votojë por nuk e ka gjetur emrin e tij në listë, janë disa që nuk janë aq të rëndësishme për procesin zgjedhor për shkak se të gjitha janë evidentuar dhe rregulluar nga qendrat operative”, ka thënë Radoniqi.

Konferenca e radhës e KQZ-së do të mbahet në 19:30.

The post Deri në orën 15:00 kanë votuar rreth 27 për qind e qytetarëve appeared first on Mesazhi.com.