COVID-19 dhe sfidat që sjell për personat me aftësi të kufizuara

covid-19-dhe-sfidat-qe-sjell-per-personat-me-aftesi-te-kufizuara

Më shumë se një miliard njerëz në botë jetojnë me një formë ose një tjetër të aftësive të kufizuara dhe janë më të rrezikuar nga pandemia e COVID-19. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias njofton.

Lidhja e Ellie Carney-it me qenin e saj Olive, e ka bërë pandeminë më të përballueshme. Ellie është 27 vjeç dhe ka aftësi të kufizuara.

“Që kur filloi COVID-i, Olive ka kaluar kohë me mua. Nuk jam më e dëshpëruar”, thotë Ellie.

Me ndihmë profesionale, Ellie po bën një jetë mjaft të pavarur që prej tre vjetësh. Ajo është përshtatur me situatën e re.

Por sistemi i saj imunitar është i dëmtuar – kështu që asaj i është dashur të heqë dorë nga aktivitetet që mund të rrezikojnë infeksionin, thotë nëna e saj.

“Kur ke një aftësi të kufizuar, duhet të vazhdosh të bësh aktivitetet e pavarura përditë. Kur ndodhi COVID-i, Ellie mbeti mbrapa”, thotë e ëma e Ellit.

“Më mungojnë miqtë. Më mungojnë aktivitetet dhe bolling!”, thotë Ellie.

Në këtë pandemi, njerëz si Ellie përballen me rreziqe të veçanta. Kushtet e tyre para-ekzistuese shëndetësore i bëjnë ata më të prekshëm. Ata mbështeten te ndihma e të tjerëve. Dhe shpesh harrohen.

“Ne të gjithë kemi nevoja, ka gjëra në jetë që janë të nevojshme për ne, apo jo? Për të jetuar më mirë kemi nevojë për ushqim, strehim, veshje. Personat me aftësi të kufizuara kanë disa nevoja shtesë.  “Secila kategori e aftësive të kufizuara përballet me lloje të ndryshme barrierash”, thotë eksperti Daniel Mont.

Në shtëpinë e të moshuarve Mary Marshall, kujdesi për 70-vjeçaren Muriel Crisler financohet 100 përqind nga qeveria. Kufizimet gradualisht po lehtësohen pas një viti masash për të parandaluar shpërthimet e Covidit.

“Dhoma e ngrënies tani hapet një herë në javë. Kanë hapur dhomën e përbashkët dhe njerëzit hyjnë aty dhe flasin, bëjnë përsëri aktivitete”, thotë Muriel.

Mbajtja e banorëve të izoluar ndihmoi në kontrollin e infeksioneve, por solli edhe një dëm psikologjik, thotë drejtuesja e shtëpisë Divina Alston.

“70 përqind e banorëve tanë janë të diagnostikuar me skizofreni. Edhe pse merrnin ilaçe, pamë një rritje të haluçinacioneve dhe depresionit”.

Mbrojtësit e të drejtave të tyre po dokumentojnë problemet si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në mbarë botën.

“Personat me aftësi të kufizuara duhet të kenë përparësi në marrjen e vaksinave. Kjo për fat të keq nuk ka ndodhur në shumicën e vendeve të botës. Varësia tek anëtarët e familjes mund të shkaktojë dhe përkeqësojë dhunën. ”

Në Shtetet e Bashkuara, rreth 61 milionë të rritur jetojnë me aftësi të kufizuara. Shumë janë në shtëpi për të moshuarit, dhe kjo ka qenë një disavantazh.

“33 përqind e vdekjeve kanë ndodhur në ambientet e përbashkëta. Ishte plotësisht e parashikueshme që këto vende do të ishin kurthe për të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara. Pati një mbikëqyrje të dobët. Ata e dinin se kishte personel të pamjaftueshëm dhe me trajnim të pamjaftueshëm”, thotë Susan Mizner në Unionin e Lirive Civile Amerikane.

Administrata Biden ka krijuar një “Grup Pune për Barazinë Shëndetësore COVID-19” për të shqyrtuar pabarazitë në kujdesin shëndetësor.

“Fakti që kemi mjekë, infermierë, psikologë dhe punonjës socialë që kalojnë procesin e tyre të çertifikimit pa mësuar shumë për kulturën e aftësive të kufizuara, etikën profesionale, apo ligjet e të drejtave civile, është një problem sepse ndikon në cilësinë e kujdesin shëndetësor që marrin këta njerëz”, thotë Andrew Imparato i grupit të punës për barazi të kujdesit shëndetësor.

Ekziston gjithashtu një propozim nga presidenti për të shpenzuar 400 miliardë dollarë për më shumë kujdes në shtëpi apo në komunitet për njerëzit me aftësi të kufizuara.

Nëse Kongresi e miraton atë, punonjësit që ndihmojnë Ellie-n dhe nënën e saj do të marrin një rritje page.

“Këta punonjës paguhen 13-14 dollarë në orë. Ne duhet ta shtojmë këtë pagë në mënyrë që ata të mund të punojnë 40 orë në javë dhe të jetojnë me pagën që marrin”, thotë Maedi Tanham Carney, nëna e Ellit.

Paratë janë të rëndësishme, por Muriel Crisler beson se mund të bëhet më shumë për të ndryshuar mënyrën e perceptimit të personave me aftësi të kufizuara – dhe se ata mund të kenë sukses me vetëm pak ndihmë.

“Unë jam normale si çdo person tjetër. Kam sëmundje mendore, marr ilaçe për këtë, kurohem .” Nëse do t’i kisha të dyja këmbët, do të jetoja me forcat e mia”, thotë Muriel.

The post COVID-19 dhe sfidat që sjell për personat me aftësi të kufizuara appeared first on Mesazhi.com.