Çka mund të bëni për të vdekurit tuaj në ramazan?

cka-mund-te-beni-per-te-vdekurit-tuaj-ne-ramazan?

“Nëna ime e ndjerë më kujtohet në ramazan më shumë sesa në çdo muaj tjetër. Në të vërtetë, ky muaj nuk është mëshirë vetëm për të gjallët, por edhe për të vdekurit, sepse në këtë muaj bëhen më shumë vepra të mira në emër të tyre (dhe prej të cilave ata përfitojnë). E lus Allahun që t’i mëshirojë ata dhe të na bashkojë në Xhenetin Firdevs me Pejgamberin tonë të dashur, Muhamedin (savs).”

Me këto pak fjali, pedagogu i famshëm islamik Omer Sulejman, na ka tërhequr vëmendjen në një nga veprat më të mira, që të gjallët mund t’i bëjnë për të vdekurit gjatë ramazanit:

Dhënia e sadakës në emër të tyre. Dijetarët islamikë besojnë se personi që ka kaluar në botën tjetër (ahiret), do të përfitojë shumë nga sadaka e zakonshme (nga ndihma për të pafuqishmit dhe të rraskapiturit, nga ushqimi për të varfrit, nga mbështetja e projekteve të hajrit, nga dhënia bursa për studentët dhe jetimët). I vdekuri, gjithashtu, do të përfitojë edhe nga sadaka e përhershme (vakëf), dmth, nëse diçka dhurohet vakëf në emrin e tij, pavarësisht, nëse ai e ka lënë testament, apo dikush tjetër e bën atë nga pasuria e tij pas vdekjes së tij. Ajo mund të jetë ndërtimi i një xhamie, një rruge, një spitali, një kroi, apo çfarëdo gjëje tjetër, që u sjell dobi njerëzve. Dhe për sa kohë që zgjat ai hajrat, të vdekurit do t’i rrjedhin sevapet dhe ai do të ketë dobi prej tij.

Transmetohet nga Aishja (r.a.), se një burrë kishte ardhur te Pejgamberi (savs), dhe i kishte thënë: “O i Dërguari i Allahut, nëna ime më vdiq papritmas, dhe nëse ajo do të kishte thënë ndonjë gjë, mendoj se do të kishte dhënë sadaka. A do të ketë ajo shpërblim nëse unë jap sadakë për të?” Pejgamberi (savs), i thotë: “Po“. (Buhariu dhe Muslimi)

Ebu Hurejre (r.a.), transmeton se një burrë erdhi te i Dërguari i Allahut (savs), dhe i tha: “Babai më ka vdekur, dhe ai ka lënë pasuri pas vetes, por nuk ka lënë testament. A do të ketë përfitim ai, nëse unë jap sadakë për të?” Pejgamberi (savs), i thotë: “Po“. (Muslimi)

Me këtë rast, mos të harrojmë lutjen dhe kërkimin e faljes për të vdekurit, sepse Pejgamberi (savs), ka thënë:“Kur vdes njeriu, ndërpriten veprat e tij, përveç në tre raste: (1) sadaka e vazhdueshme,(2) dituria të cilën e lë pas, që të tjerët të përfitojnë prej saj, dhe (3) fëmija i edukuar mirë,i cili do të lutet për të.”

Nedim Botic

Përkthim: Miftar Ajdini