Çka e zvogëlon nafakën dhe bereqetin në jetën tuaj?

cka-e-zvogelon-nafaken-dhe-bereqetin-ne-jeten-tuaj?

Ekzistojnë dy lloje të zvogëlimit të nafakës: zvogëlimi i pasurisë në përgjithësi dhe zvogëlimi i bereqetit në pasuri.

Transmetohet me besueshmëri se Ibn Abasi (r.a.), ka thënë:“Çdo vepër e mirë e kryer, rezulton me dritë në fytyrë, dritë në zemër, bollëk të nafakës dhe dashuri nga njerëzit e tjerë. Ndërsa çdo vepër e keqe e kryer, rezulton me errësirë ​​në fytyrë, errësirë ​​në zemër, zvogëlim të ushqimit dhe urrejtje nga njerëzit e tjerë.”

Disa njerëz abuzojnë me begatitë, nuk i respektojnë ato, krenohen me to dhe nuk i përdorin në bindje ndaj Allahut të Plotfuqishëm. Për këtë shkak, ato begati u zvogëlohen, sepse nafaka kërkohet vetëm nga Allahu i Plotfuqishëm.

Ibni Tejmije transmeton se Ebu Kasim el-Magribi e kishte pyetur atë: “Më udhëzo në një vepër e cila do të më afrojë me Allahun e Lartësuar; dhe më udhëzo në një libër tek i cili do të mbështetem pas Kuranit kur bëhet fjalë për hadithet e të Dërguarit të Allahut (savs), si dhe më udhëzo në mënyrën më të mirë për fitimin e nafakës.”

Ibn Tejmije u përgjigj: “Mënyra më e mirë për të fituar nafakën është të mbështetesh tek Allahu i Lartësuar dhe atë çështje t’ia dorëzosh Atij.”

Mendoni pak për këtë përgjigje madhështore nga ky dijetar i famshëm.

Sepse, furnizimin e jep vetëm Allahu i Lartësuar, prandaj të gjitha pasuritë që i posedojmë duhet të jenë në shërbim të bindjes ndaj Allahut të Plotfuqishëm.

Të dashur vëllezër dhe motra, zvogëlimi i nafakës është një nga pasojat më të mëdha të mëkatit.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Sikur banorët e vendbanimeve të besonin dhe të ruheshin prej mëkateve, Na do t’i vërshonim me dhunti nga qielli dhe Toka, por ata gënjyen, prandaj, i dënuam për atë që vepruan.” (Al-Araf, 96)

Por ata nuk besuan dhe nuk e ndoqën udhëzimin, andaj për shkak të kësaj atyre iu zvogëlua begatia, bereqeti dhe gëzimi i pasurisë.

Prandaj, forca nuk matet me bollëk të pasurisë dhe nuk ka asnjë të mirë në pasuri, nëse ajo nuk harxhohet në atë me të cilën është i kënaqur Allahu i Plotfuqishëm.

Përkthim: Miftar Ajdini