Brokoli, lulelakër dhe djathë – Pjekurina perfekte

brokoli,-lulelaker-dhe-djathe-–-pjekurina-perfekte

Një recetë fantastike, jo vetëm për shijen e përsosur por edhe për vlerat ushqyese gjithashtu, falë dy përbërësve kryesorë të saj brokolit dhe lulelakrës.

Vlerat ushqimore të tij, e bëjnë brokolin një nga perimet e gjelbra më të shëndetshme në botë.

Bëhet fjalë për një perime miqësore me stomakun dhe shumë e pasur në vlera dhe shije. Brokoli është fantastike në çdo mënyrë gatimi, supë, sallatë, pure etj.

Nga ana tjetër, lulelakra është e pasur me vitaminë C, K, B-6 dhe acid folik. Ajo përmban gjithashtu kalçium, hekur, magnez, fosfor dhe një sërë vitaminash të tjera të dobishme për organizmin.

Lulelakra përmban antioksidantë që parandalojnë mutacionet e qelizave dhe ulin stresin që formohet nga radikalet e lira.

Përbërësit

400 gr brokoli

400 gr lulelakër

Kripë

Piper

Vaj ulliri

Për salcën e beshamelës 

3 lugë gjelle miell gruri

2 lugë gjelle gjalpë të freskët

2 deri 3 gota qumësht

2 kokrra vezë

3 lugë gjelle djathë kaçkavall i grirë

Kripë

Përgatitja

Shtojmë ujë dhe kripë në një tenxhere dhe e vendosim në zjarr që të ziejë.

Sapo uji të nisë të vlojë hedhim brokolit dhe lulelakrat e ndara në degëza.

I lëmë të ziejnë për 10 minuta dhe më pas i heqim nga zjarri.

Kujdesemi t’i largojmë nga uji përmes një kullorëse dhe i shtrojmë në tavë. Sipër i spërkasim me vaj ulliri.

Përgatitja e Beshamelës

Në tigan skuqni gjalpin me miellin derisa të jetë zverdhur.

Më pas, shtoni qumështin dhe përziejeni fort dhe shpejt me një lugë druri derisa masa të jetë e njëtrajtshme.

Shtoni vezët e rrahura dhe vijoni ta përzieni.

Shtoni kripën sipas dëshirës si dhe djathin kaçkavall të grirë.

Masën e përgatitur të beshamelës e hedhim sipër brokolit dhe lulelakrave dhe më pas i fusim në furrë të piqen derisa sipërfaqja të marrë ngjyrë të kuqërremtë. /Lajmi.net/